Nisi sot aplikimi për lotarinë amerikane, proces që do të zgjasë deri në 5 Nëntor. Duke marrë shkas nga kjo, Stop solli këtë të mërkurë rastin e një qytetari nga Pogradeci, Luan Bashallit, të cilit për një gabim të Gjendjes Civile Pogradec, i është djegur lotaria amerikane dhe është ndarë nga familja.
Në vitin 2017, Luani zbuloi se nëna dhe babai i tij rezultonin motër e vëlla në Gjendjen Civile Pogradec. Në atë kohë ai iu drejtua emisionit Stop. “Një Pogradec i tërë u çudit, kur mora certifikatën, nëna doli motër e vëlla me babanë. Sanije Bashalli është vajza e Kasëm Bashallit. E ka babai im baba, nuk e ka nëna ime baba.
Më ranë këmbët lart e poshtë. 20 herë vajta në Pogradec, mora një dokument aty që kjo ishte vajza e Hasanit, por në regjistrim nuk ishte, nuk e kishin regjistruar”.
Qytetarët pogradecarë nënën dhe babain tënd si i njihnin, burrë e grua, apo motër e vëlla.
“Burrë e grua”.
Po në gjendje civile?
“Motër e vëlla”.
Po mirë kush është më i madh, gjithë populli i Pogradecit, apo një Gjendje Civile?
“Ja që një Gjendje Civile”.
Sa vite kishin ë martuar?
“Po nja 50 vjet…”
Pasi e denoncoi rastin e tij edhe në Stop, qytetari iu drejtua Gjykatës së Pogradecit, por nuk e gjeti të drejtën për shkak se i mungonte dokumentacioni i duhur për të vërtetuar që nëna dhe babai nuk janë motër e vëlla. Tani gruaja dhe vajza e Luanit janë në SHBA dhe ai vetë nuk po shkon dot për shkak të këtij gabimi.
Pas 27 vjet martese, tashmë familja jeton e ndarë. I rikthyer në Stop, Luan Bashalli i bën apel gjykatës që t’i japë të drejtën të bashkohet me familjen e tij.
“Kam që në vitin 2017 që nëna me babain më dolën motër e vëlla dhe ende s’po e zgjidh dot. Certifikata është ndryshe dhe unë e kam të deklaruar ndryshe. Vajta në Pogradec 7 herë, bëra gjyqe dhe nuk më zgjidhi gjë. Bëj çfarë të duash më thanë, nuk të takon. Më doli lotaria amerikane, por duke qenë se gjykata nuk ma zgjidhi problemin, gruaja në Amerikë dhe unë këtu”.
Prej sa kohësh është gruaja në Amerikë?
Gruaja ka që në vitin 2017 që iku.
Kur dhe intervistën?
“Po. Ajo andej, unë këtej, po na çon drejt divorcit. Të rrish me gruan 27 vjet, e martuar me të, e kam marrë me dashuri dhe tani në këto kohë të ndahesh, nuk e di. I bëj apel gjykatës të ma japë të drejtën, vetëm tek ajo kam shpresë, që të bashkohem edhe unë si gjithë të tjerët me familjen time. Nuk shtyhet jeta kështu”. /tvklan.al