Italia, vendi i artit të Rilindjes, Romës së lashtë, monumenteve të mrekullueshme, kolosëve të mëdhenj të kulturës, por edhe e një ushqimi të famshëm, pica. Ngjyra, shija, aroma, përbërësit e bëjnë picën një nga gatimet më të dashura në botë. Nëse mendohet se pica filloi të përhapej si një fenomen global në shekullin e 20-të, në fakt, ajo e bëri udhëtimin e parë përtej oqeanit, e më larg, para 2000 vjetësh.
Rreth historikut dhe zanafillës së saj, studiuesit mendojnë se koncepti i përafërt me picën ka qenë i njohur që në kohën e grekëve të lashtë, por në një formë më të thjeshtë të saj, të quajtur “pissa” ose “pita”, çka në fakt mendohet të ketë ekzistuar në të gjithë Mesdheun. Pra, “pissa” antike ishte bukë, herë e skuqur dhe herë e pjekur, ndoshta edhe me erëza mbi të.
Ushqimi u shfaq më pas si “pizza” rreth vitit 997 e.r. Një dokument i gjetur në veri të Napolit tregon ndodhinë interesante se si një qiradhënës, premtoi t’i paguante pronarit të shtëpisë qiranë përmes mishit të derrit dhe picës. Ndërsa në shekullin e 18-të, pica nisi të përhapej masivisht si një “ushqim rruge” dhe vizitorët në qytet filluan të flisnin për të. Mes njerëzve të famshëm të kohës, shkrimtarë, sundimtarë, kishte nga ata që e urrenin këtë ushqim dhe të tjerë që e donin shumë.
Mbreti Burbon i Napolit, Ferdinand, thuhet se kishte ndërtuar një furrë me tulla në rezidencën e tij, dhe ndonëse konsiderohej si një ushqim i të varfërve, ai e preferonte shumë. Histori shumë e njohur është ajo e mbretëreshës të Italisë, Margarita, që kur vizitoi Napolin, më 1889, kërkoi të provonte specialitetin vendas. Asaj i ofruan tri lloje të ndryshme picash, ndër to njëra me domate, mocarela dhe borzilok. Mbretëresha mendohet se zgjodhi këtë, pasi i kujtoi asaj flamurin e Italisë, lindi kështu pica Margerita. Megjithatë, ishin emigrantët më të varfër të Italisë që e popullarizuan atë në të gjithë botën. Në fillimi të shekullit të 19-të, pas emigrimit masiv nga jugu i Italisë në Shtetet e Bashkuara, sigurisht që emigrantët morën edhe recetat e tyre me vete.
Në thelb, një picë e vërtetë napolitane bëhet me përbërës të thjeshtë: ujë, miell, kripë dhe maja, pa yndyra të shtuara ose sheqerna. Duhet të lihet për të paktën 12 orë dhe të gatuhet në një furrë me dru për 60- 90 sekonda. Por, ndryshime në recetën e saj ka pasur gjithmonë, edhe brenda Italisë, ku p.sh. në Romë baza e brumit është më e hollë se ajo e Napolit.
E ndërsa në botë, ajo e ka kapërcyer recetën e saj origjinale italiane me përshtatje të reja dhe të çuditshme, nga picat me patate të skuqura e deri tek ajo me ananas në Havai.
Shpërndaje