I ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë Alfred Karaj është 38 vjeç. Ka 4 fëmijë, një djalë 18 vjeç , një vajzë 12 vjeç, një vajzë 6 vjeç dhe një vajzë tjetër e cila është 19 vjeç. Alfredi para 4 vitesh e përzuri bashkëshorten nga banesa pasi sipas tij ajo i kishte sjellë të dashurin në shtëpi ndaj dhe ai e dëboi. Pas divorcit gjykata ia la ne ngarkim fëmijët Alfredit i cili vuan nga epilepsia. Ai thotë se ka bërë gjithçka për fëmijët e tij. Ish-bashkëshortja sipas tij nuk i është përgjigjur kurrë.
Alfred: Kur u martova isha 18 vjeç dhe ajo 16 sepse dy pleqtë i kam pasur invalidë, nuk shihnin. U martova me mblesëri sepse duhet të kujdesej dikush për prindërit. Kam 17 vjet martesë me të.
Mirela Milori: Pse vendose të ndaheshit pas 17 vitesh?
Alfredi: Sepse ma solli tjetrin tek shtëpia. Ajo ma ka hedhur valium gjumi, më ka bërë me stres sepse unë vuaj nga epilepsia.
Mirela Milori: Po fëmijët jetonin në shtëpi dhe ajo fuste të dashurin në shtëpi në prani të fëmijëve?
Alfredi: Po, vajza e madhe e ka ditur komplet si histori.
Mirela Milori: Kur e mësove ti këtë që vinte dikush në shtëpi?
Alfredi: Vajza e madhe m’i rrëfeu të gjitha.
Mirela Milori: Vendosët të ndaheshit, pranoi ajo që kishte një raport tjetër?
Alfredi: Ajo nuk pranoi, por e pranoi ai që ka pasur.
Mirela Milori: Ti shkove në gjykatë, u divorcuat me letra dhe fëmijët kujt ia la?
Alfredi: Fëmijët mi la mua, ajo tha që nuk kam mundësi t’i mbaj dhe qëndroi me atë që kishte. Vinte gjithmonë në orën 12 të natës, nuk kishe se çfarë t’i bëje.
Ai tregon se nuk ka dashur kurrë t’i braktisë fëmijët e tij siç bëri e ëma dhe është munduar që të punojë çfarëdo lloj punë për t’i ushqyer. Madje ai tregon se ish-bashkëshortja i ka nxjerrë namin që mbledh kanaç e hekura, por sipas tij, kjo nuk është një punë turpi.
Mirela Milori: Ku jeton dhe si e ke përballuar jetën?
Alfredi: Unë jetoj në Fushë-Krujë në një dhomë me qira. Unë merrja ndihmë ekonomike 45 mijë Lekë të vjetra, por dy muaj nuk mi kanë dhënë sepse ka mbushur djali 18 vjeç, djali punon në lavazh.
Alfredi tregon se ish-bashkëshortja nuk i ka paguar asnjëherë detyrimet që i ka caktuar gjykata për fëmijët, madje vajza e vogël as nuk e njeh sepse e ka lënë vetëm 2 vjeç. Madje nuk ka fare kontakt me të sepse nuk ia kanë njëri-tjetrit numrin. /tvklan.al