Kur duhet më pak se një muaj nga nisja e Botërorit në Katar, disa përfaqësues të sportit në Iran i kanë dërguar një letër FIFA-s, ku i kërkojnë përjashtimin e kombëtares së tyre nga eventi më i madh i futbollit.
- “Brutaliteti i Iranit ndaj popullit të tij ka sjellë një shkëputje të botës së futbollit dhe sportit nga qeveria. Grave u ndalohet hyrja në stadiume brenda vendit dhe përjashtohen sistematikisht nga ekosistemi i futbollit iranian, i cili është në kontrast të plotë me vlerat dhe statutet e FIFA-s. Nëse gratë nuk lejohen të hyjnë në stadiume dhe Federata iraniane thjesht ndjek dhe zbaton udhëzimet e qeverisë, ajo nuk mund të cilësohet organizatë e pavarur dhe e lirë nga çdo formë ndikimi. Dhe kjo është shkelje e nenit 19 të statutit të FIFA-s.
Këshilli i FIFA-s mund dhe duhet të pezullojë menjëherë Iranin. FIFA nuk duhet të lejojë pjesëmarrjen e një vendi që po persekuton në mënyrë aktive gratë, atletet dhe fëmijët e tij vetëm sepse po ushtrojnë të drejtat e tyre më elementare njerëzore”, lexohet në letër.
Në Iran vazhdojnë protestat pas rrahjes brutale të 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila humbi jetën si pasojë e dhunës së ushtruar nga forcat policore për shkak të shkeljes së rregullave të veshjes.