Fotoja që i emocionoi të gjithë, emigranti në lot në krahët e vullnetares spanjolle

Fotografitë e publikuara së fundmi në Spanjë tregojnë anën njerëzore të krizës së emigrantëve në shtetin iberik. Rreth 8 mijë njerëz, përfshirë fëmijë, udhëtuan në det të hapur për të hyrë nga Maroku dhe vendet e tjera të Afrikës me destinacion Spanjën.

Por jo të gjithë ia dolën të prekin “token e premtuar” pasi mijëra prej tyre u kthyen pas. Kjo foto ku një vullnetare e Kryqit të Kuq përqafon një emigrant pranë detit ka bërë xhiron e botës duke prekur zemrat e njerëzve.

E reja, e identifikuar si Luna tha se nuk e dinte emrin e burrit, por dinte vetëm që ai vinte nga Senegali. “Po qante, i zgjata dorën dhe e përqafova”, u shpreh vajza për mediat. Pasi fotoja u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, 20-vjeçarja tha se ajo ishte bombarduar me komente seksiste dhe raciste dhe kishte vendosur të mbronte llogaritë e saj në rrjetet sociale.

Por ishin më të shumtë ata që e falënderuan vullnetaren për gjestin human. Hashtagu #GraciasLuna u përdor 50 mijë here në “Twitter” ndërsa falënderime erdhën edhe nga ministra të kabinetit të qeverisë spanjolle që e cilësuan foton si “simbol të shpresës dhe solidaritetit”.

Një foto tjetër që tërhoqi vëmendjen e Spanjës ishte e ajo e Juan Francisco Valle, i cili është vlerësuar si një hero pasi shpëtoi një foshnjë nga ujërat pranë Ceuta. Zhytësi i Gardës Civile në Spanjë tha se fëmija ishte shumë i zbehtë kur mbërriti në vendngjarje. “Sinqerisht, nuk e dija nëse ishte i gjallë apo i vdekur”, deklaroi ai.

Author: admin