Flet Ish-Zbuluesi Sekret: Si Ia Zgjidhja Rrobat Enverit Në Paris, Çakmakët I Donte Prej Florir…

INTERVISTA/ Flet Hasan Luçi, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë: Zënka me Sulo Gradecin, donte t’i firmosja faturën e një blerje që s’e kisha parë

Në këtë rrëfimit të posaçëm që ju sjell noa.al, ish-zbuluesi politik i Shqipërisë në Francë, Hasan Luçi, flet kryesisht mbi marrëdhëniet e tij me të besuarin e Enver Hoxhës, Sulo Gradecin. Por edhe sendet specifike që Enveri kërkonte, si edhe debatet për blerjet të cilat nuk gjendeshin.

Sipas Hasanit, grindja e parë me Sulon u bë se ai i kërkoi të firmoste një faturë për një shumë të vogël, por duke qenë se nuk kishte qenë i pranishëm kur ishte blerë malli, ai nuk e firmosi. Në fakt, diplomacia ishte mbulesë për rolin e tij si zbulues politik i atdheut…
Intervistuar nga: Albert Zholi
Stofrat e rrobave për Enver Hoxhën, ku dhe si i blije, pasi dihet që ai vishej shumë bukur?

Stofrat i blija sipas mostrës që më dërgonin apo e sillte Suloja. Kur nuk gjeja të njëjtën mostër, në Paris të jepnin copa fare të vogla stofi si të tilla, se shpesh nuk arrija të vendosja. Kulmi ishte kur shkoja ta blija, por përsëri për të marrë një copë tjetër si mostër, sipas kërkesës, që t’i mbushej mendja për ta blerë ose jo. Ç’t’i bësh detyrës kur të zë rrota bishtin?!

Për të gjitha këto blerje, a mbaje shënime, llogari, a kishe fatura, a merrje lekë me dokumente?

Unë mbaja llogari të veçantë dhe shënime, që i kam edhe sot, duke i mbajtur qëllimisht se nuk dija çfarë mund të pëlciste ndonjëherë. Dhe vërtet, kur u mor në hetuesi e doli në gjyq Sulo Gradeci, mua më shkoi mendja se do të më thërrisnin si dëshmitar, por kjo nuk ndodhi. Isha kurioz të dija pse-në?! Këtë e mësova në tetor 1999 në Tiranë, kur isha me mikun tim Pëllumb Tare, kryeredaktor i gazetës “Labëria”, ku unë shkruaja artikuj dhe ky më njohu me vëllain e vet Rustemin, të cilin e njihja si fytyrë, por nuk e dija se qenkëshin vëllezër, paçka se ngjanin në tërësi.

Kur Pëllumbi i tha se kush isha, Rustemi tha se më njihte shumë mirë, por sidomos kur bëri revizionimin, si kontrollor i shtetit të llogarisë së Sulo Gradecit. Pa e lënë të më shpjegonte, nxitova dhe i thashë se prisja të më thërrisnin si dëshmitar, por kjo s’ndodhi. “Këtë të mirë e ke nga unë, -vijoi ai, -se ti ishe në rregull me llogaritë. Ato i gjetëm edhe në Paris në ambasadë të hedhura në një papafingo, ku kishin shpëtuar nga dëmtimi edhe i minjve, për çudi. Të lumtë”, shtoi ai më në fund. Unë u mburra me fjalët: “unë zbatoj parullën e vjetër labe: po s’je i zoti të fshehësh, mos vidh, apo harami harrëm bëhet!”. Qeshëm se paskëshim qenë të tre të prerë me këtë kut: ndershmërinë!

A je grindur ndonjëherë me Sulo Gradecin?
Në fillim, Sulo Gradeci kujtoi se unë do t’i shkoja sipas mënyrës së tyre (shoqëruesve të Bllokut, një pjesë e të cilëve bënin ngrënie si ariu e jo si miu). Grindja e parë me Sulon u bë se ai më kërkoi të firmosja një faturë për një shumë të vogël, por unë s’kisha qenë i pranishëm kur ishte blerë malli dhe nuk e firmosa. “S’ka gajle, – tha Sulua, – se ishim ne të dy (ata kishin firmosur), por tani kërkohet edhe firma e tretë, sipas rregullores financiare”. Unë ngula këmbë përsëri i prerë dhe u thashë: “Më falni, por unë e kam parim të vjetër apo huq timin dhe të zanateve të mia:

pa parë me sy nuk firmos asgjë, le të jetë kush të dojë”. “Pse trembesh?!, – theksoi Suloja i nervozuar, – hënë, – duke përpëlitur sytë dhe fërkuar hundën mashalla, – këto janë blerë për ata, – shtoi ai. “E kotë, Sulo, – i thashë, – nuk firmos, gjej ndonjë tjetër”. Kjo na hidhëroi të dyve, por për motive të ndryshme. Megjithëkëtë, vajtëm në kafe dhe e qerasa, ndërsa ai turfullonte në hundë, sikur ishte në ndonjë lëmë shirje dhe e bezdisnin pluhurat e purtekave, që shinin grurin. Ai e gjeti kollaj firmën e tretë, Haxhi Taga e ndonjë tjetër. Kjo gjë më ndodhi edhe me mjekët kur blinin ilaçe, por edhe atyre ua firmosa faturat vetëm kur isha i pranishëm në blerje në farmaci, paçka se nuk i dija porositë e sakta, por të paktën i shikoja me sy.

Kishte kërkesa që nuk plotësoheshin dhe për çfarë arsyesh?
Enver Hoxhës i blija edhe fletore shkrimi me ngjyra të ndryshme, me vija të gjera, me kuadrate ose jo, në të cilat, ai shkroi ditarët e tij dhe veprat. Po kështu, bleva edhe diktofonë. Hysni Kapoja hodhi idenë t’i blinim këto edhe për shokë të tjerë të Byrosë Politike, por siç duket, për arsye shpenzimesh, nuk e vuri në jetë.

Veç tre të udhëheqësve të parë, të tjerët nuk i bënin vetë veprat dhe fjalimet e tyre. Në fakt, kam dëgjuar me veshët e mi, kur më kanë treguar si shkruanin të tjerët për ta dhe vetëm sa vinin firmën.

Author: admin