EXCLUSIVE/ Orët Kur Edi Rama Ishte Pjesë E PD-Së: Sa Hyra U Largova Menjëherë

Emisioni VETTING

Partia Socialiste dhe Partia demokratike e kanë qeverisur vendin 30 vitet e fundit. Zhvillimet politike brenda këtyre partive kanë qenë përcaktuese të nivelit të demokracisë në Shqipëri.

Në historinë e këtyre tri dekadave do të shohim trashëgiminë nga e shkuara komuniste dhe përpjekjet e dështuara për votën e lirë brenda dy partive.

Se si ka avancuar demokracia e brendshme në këto dy parti do ta shohim përmes analizës së proceseve zgjedhore në kongreset e PS-së dhe kuvendet kombëtare të PD-së.

Sot duket kohë e largët por Edi Rama ka qenë për pak orë pjesë e Partisë demokratike. E veshi dikur një pardesy të bardhë, petku që i bashkonte si në një uniformë themeluesit e Partisë Demokratike.

“Atë ditë, kur hyra në PD, ose më saktë kur shkova në PD, e cila sapo ishte krijuar, u largova menjëherë, se pata një konflikt me ata që gjeta aty, pra në PD. Për ne Ramiz Alia ishte kundërshtari. Ramiz Alia nuk ishte njeriu, që po sillte demokracinë në Shqipëri, por ishte thjesht regjimi komunist në Shqipëri” tha më vonë ai.

Koha do të tregonte se nuk kishte qenë kjo arsyeja sepse brenda pak vitesh do të strehohej pikërisht në partinë e Ramiz Alisë. Edi Rama do të largohej nga PD javët e para, bashkë me shumë të tjerë që nuk e gjetën veten në skutat e pushtetit që po projektohej.

d.b/Abcnews.al

Author: admin