Nga Agim Xhafka
Ne shoqëria e thërrasim Xhelë, por gjatë quhet Xhelal. Është elektricisti i qendrës shëndetësore. Më duhej një ditë se llamba tek garazhi bënte qark të shkurtër, digjej në çast. E gjeta tek një kabinet mjekësor në katin e dytë.
Kishte plot njerëz në korridor dhe mezi e dallova nga që Xhela kishte veshur përparëse të bardhë. Mbante dhe një shkop në dorë e tregonte ca germa te një tabelë varur në mur.
-Kjo? – pyeste.
-Ç – dëgjova.
-Po kjo?
-L.
-Vazhdo!
-Xhel, të lutem mos zbrit te të voglat se një mut i shoh, – më erdhi në vesh një zë i avashëm.
Qe Lipja, kushëriri im. U afrova dhe pasi qesha me këtë komedi, pyeta Xhelalin:
-Po jep shfaqje, mo?!
-Jo, jo. Po vizitoj tamam, byrazer.
Nuk po besoja që ai ishte elektricisti që unë kërkoja. Se vazhdonte pyetjet me seriozitet:
-Çfarë germe është kjo?
Kur mbaroi i thashë hallin tim.
-Pas dy orësh ta rregulloj, – më premtoi.
-Po pse kaq vonë?
-Se tani do bëj ca vizita veshësh e grykësh, andaj.
Ngela i habitur. Xhela paska lajthitur e rroitur. U nxeha ndaj trokita te dera e drejtorit të Xhelës. Ia tregova tëk e tëk gjithë marrëzitë që pashë.
-E di, e di, nuk ka rrëshqitur ai, jo. Por kanë rrëshqitur mjekët drejt Gjermanisë. Vijnë plot njerëz për patenta e për dokumente shkolle. Ata ia kemi ngarkuar Xhelalit, ai i viziton.
Pyet dhe njerëzit përgjigjen, kaq. Bile kur një ditë bënte vizita veshësh Xhela pordhi padashje, por zotnia që vizitohej e mori si pyetje. E hazër xhevap i tha;
-Pordhë, o byrazer. Pordhë ishte. E dëgjova mirë