Sot është “Dita e Ashures” e cila përkon me ditën e dhjetë të muajit Muharrem, një ditë ku bëhet ëmbëlsira e ashures, simbol i bereqetit, shpërndarjes, unitetit dhe e cila sipas besimit islam, në këtë ditë janë përjetuar shumë ngjarje të rëndësishme që lidhen me jetën e profetëve.
Dita e Ashures, e cila rrjedh nga fjala “ashr”, që do të thotë dhjetë në arabisht, është një ditë e rëndësishme për sa i përket historisë së profetëve. Ajo përkon me ditën e dhjetë të muajit të parë Muharrem të vitit hixhri.
Meqenëse këto ngjarje kanë ndodhur në ditën e dhjetë të muajit Muharrem, në traditën fetare kësaj i kushtohet një rëndësi të madhe sot. Muslimanët këtë ditë e shënojnë kryesisht duke agjëruar.
Në muajin Muharrem gëzimi dhe trishtimi janë së bashku
Sot, në mjediset e Selisë së Shenjtë Bektashiane, do kremtohet ceremonia e Ashures, një riti tradicional Bektashian, që përkujton 72 të rënët në tokën e Qerbelasë. Dita e Ashures, vjen pas 10 ditësh agjërimi, gjatë të cilave përkujtohet sakrifica e besimtarëve bektashinj. E gjithë bota myslimane e kujton këtë ditë si ngjarjen më të dhimbshme në historinë e njerëzimit. Origjina e festës nis nga Iraku. Në fushën e Qerbelasë, 1400 vjet më parë, ku u masakruan nipi i profetit Muhamed, Imam Hyseni, së bashku me 72 shehid (dëshmorë). Dita e Ashures njihet si dita e martirizimit të imam Husejnit, i cili u rrethua në shkretëtirën e Qerbelasë nga një ushtri agresore, së bashku me 72 shokët e tij u martirizua. Dita e Ashures është dita e fundit e Matemit ose agjërimit dhe sakrificës së bektashinjëve.
Matemi
Matemi është agjërimi i zisë, ose zija përkujtimore në nderim të veprës së martirëve të Qerbelasë. Agjërimi i bektashinjve dhe i tarikateve të tjerë alevian, zgjat 10 ditë të muajit hënor të Muharremit (Muaji Muharrem është fillimi i vitit të ri Hixhri sipas kalendarit myslyman), kur përkujtohen në shenjë zie e respekti 72 dëshmorët që ranë heronj në Qerbela, me në krye Imam Hysenin. Këto ditë bektashinjtë e të tjerë mblidhen në teqetë e ndryshme, ku udhërrëfyesit (klerikët) lexojnë me zë të lartë “Hadikanë”, bëjnë ritualin e përditëshëm, duke përkujtuar vuajtjet e profetëve e ngjarjen tragjike të Qerbelasë, për shërbimin e tyre të shenjtë në të mirë të njerëzisë, duke predikuar rrugën e drejtësisë, paqes, vëllazërisë dhe përsosmërisë njerëzore.
Natën e parë u kushtohet vuajtjeve të profetëve: Adem, Nuh, Ibrahim, Jusuf, Musa dhe Krisht, të dytën për Profetin Muhamed (a.s), të tretën për Imam Aliun, të katërtën për Imam Hasanin, të pestën për lindjen dhe jetën e Imam Hysenit, të gjashtën për ikjen e tij nga Medina në Mekë, të shtatën për vrasjen e Myslym Akilit dhe dy djemve të tij, Myftarin dhe Ibrahimin, të tetën për nisjen e Imam Hysenit për në Kufë, të nëntën për mberritjen e tij në Qerbela dhe natën e dhjetë për martirizimin e tij dhe të dëshmorëve të tjerë. Për arsye që trimat e kësaj tragjedie shkuan në ahiret, buzëtharë, në këto ditë nuk pihet ujë.