Partia Demokratike ka vijuar akuzat në drejtim të kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili sipas tyre është i lidhur me krimin dhe bandat në Elbasan.
Në një deklaratë për mediat, nga selia blu, zëdhenësja e PD, Floriana Garo, është ndalur te dëshmia e Adrian Çapjas ditën e djeshme, i cili sipas saj është shprehur se avokati i tij Ravik Gurra është vrarë para tre vitesh për arsye se zotëronte përgjime të cilat implikonin një politikan të lartë. Sipas saj “emri i këtij politikani është Taulanti”.
- Çapja bëri thirrje ditën e djeshme në Gjykatën e Posaçme që të zbardhej vrasja e avokatit të tij Ravik Gurra, pasi sipas tij nga hetimi do të zbuloheshin të gjitha të vërtetat.
Deklarata e plotë:
Në Parlamentin shqiptar, një deputet i Rilindjes, emrin nuk e ndërron kurrë si disa kolegë të tij, por mbiemra ka disa.
Ndryshe nga personazhi i filmit artistik shqiptar “Taulanti kërkon një motër”, Taulanti-deputet kërkon një mbiemër.
Herë na shfaqet si Balla, herë Bego, herë si Gurra, e herë tjetër si Xibraka.
Emri i tij, pa mbiemër, u shfaq para dy ditësh edhe në dëshminë e biznesmenit elbasanas, i akuzuar nga drejtësia për disa vepra penale, Ardian Çapja.
- Si politikan, por edhe me një spaletë të re: si vrasës.
Çapja dëshmoi se avokati i tij Ravik Gurra është vrarë para tre vitesh për arsye se zotëronte përgjime të cilat implikonin një politikan të lartë. Emri i të cilit është Taulant.
Partia Demokratike dhe kryetari i saj e kanë denoncuar pafund implikimin e Taulant Ballës në aferat dhe aktivitetet e bandave të Elbasanit, konkretisht me Gentian Sharrën, me të cilin ekzistojnë qindra biseda telefonike.
- Emri i tij është shfaqur edhe në dëshmitë e të penduarve të drejtësisë. Nuredin Dumani e ka përmendur emrin e tij, si funksionar i lartë i Partisë Socialiste në dëshminë e tij për prokurorët. Por nga Dumani deri te Çapja, Taulant Balla ka shkuar nga politikan i korruptuar në politikan qe porosit vrasje.
Partia Demokratike i kërkon SPAK të hapë dhe të hetojë dosjen e avokatit Ravik Gurra. Nëse organet e drejtësisë nuk ndajnë politikanët nga kriminelët dhe politikanët kriminelë nga politika, ata bëhen përgjegjës të drejtpërdrejtë për humnerën dhe rrezikun që i kanoset Shqipërisë.
- Implikimi i politikanëve të lartë të qeverisë me malavitën vjen tashmë nga disa burime. Denoncimi i vazhdueshëm i bandave dhe lidhjeve të tyre politike ka qenë një moto e kësaj foltoreje.
Ja pse protestohet ndër të tjera më 6 dhjetor. Për t’i thënë Europës dhe përfaqësuesve të saj se diçka nuk shkon në Shqipëri. Politika dhe krimin janë bërë një.
Ata që e duan atdheun do ta kuptojnë. Ata që e kanë shitur dhe futur në llogari offshore do të bërtasin. Taulantit që kërkon mbiemër do t’i duhet së shpejti të kërkojë edhe avokat për secilin llagap./Opinion.al