Gianni de Biasi, ish-trajneri i Shqipërisë, edhe pse i larguar prej kohësh, në asnjë moment nuk i harron kuqezinjtë.
Për italianin, “Shqipëria është një krijesë e tij”, me të cilën ka krijuar një lidhje të fortë.
Trajneri që shkroi historinë, duke siguruar për herë të parë dhe të vetme një biletë për në një turne madhor si “Euro2016” lë gjithçka të hapur për të ardhmen, pas 30 shtatorit është një trajneri i lirë dhe nëse do i ofrohej sërish stoli i Shqipërisë apo një rol tjetër në FSHF nuk do të hezitonte për asnjë moment.
Në një intervistë për “Oversport”, De Biasi foli edhe për yllin kuqezi, Armando Broja:
“Broja është lojtar i mirë. Nuk ka treguar ende nivel të lartë ndërkombëtar. Ka sigurisht cilësi teknike dhe fizike të një niveli të kënaqshëm që duhet të kanalizohen në drejtimin e duhur për të dhënë kontribut me rëndësi në skuadër. Problemi më i madh është që nuk duhet trumbetuar si fenomen gjatë gjithë kohës pasi nuk sjellë gjë të rëndësishme, nuk të lë të rritesh dhe nuk e ndihmon fare Brojën.
Kur jeton në një realitet si Shqipëria, kur erdha unë ishim të 80 në FIFA dhe pastaj shkuam te 22. Prandaj mbetesh i lidhur me krijesën tënde. Kur dëgjoj fjalën Shqipëri, buron diçka së brendshmi.
Kam kontratë deri në 30 shtator, deri në përfundim të National League. Pas kësaj, porta e Shqipërisë mund të hapet. Nuk e di. Nëse jo, nëse do të nevojitet ndonjë këshillë për Armand Dukën, jam gati që t’ia jap. Nuk mund të vetëkandidohem për trajner te Shqipëria”, tha De Biasi.