Nga Gjergj Erebara, BIRN
Megjithëse ishte fundjavë, punëtorët e Inspektoratit Kombëtar të Mbrotjes së Territorit punuan për të hedhur në erë me tritol një hotel shtatëkatësh në bregdet, veprim që sipas kryeministrit, ishte një zbatim rigoroz i ligjit ndërsa për pronarin e hotelit, një sulm frontal i pushtetit kundër një mediaje kritike
- Punonjësit e Inspetoratit Kombëtar të Mbrotjes së Territorit, një institucion i shënjuar nga Departamenti i Shtetit më herët si ligjshkelës, punuan si rrallëherë në fundjavë të shtunën dhe të dielën më 3 dhe 4 dhjetor 2022, për të hedhur në erë një hotel shumëkatësh në bregdetin e Kavajës, për të cilin, qeveria pretendon se është ndërtuar pa leje ndërsa pronari i kompleksit, biznesmeni Irfan Hysenbelliu, thotë se është ndërtuar me leje dhe se shkaku i shembjes lidhet me qëndrimin kritik që mediat e tij, dy gazeta dhe një televizion, kanë mbajtur ndaj qeverisë “Rama”.
Hoteli “Prestige Resort” është ndërtuar disa vite më parë, është reklamuar gjerësisht në media dhe madje është vizituar edhe nga vetë kryeministri Edi Rama, por duket se ekzistenca e tij si ndërtim i paligjshëm u zbulua vetëm këtë vit.
“Ky operacion i përfolur, përqeshur e anatemuar nga gjithë kundërshtarët tanë s’ka asnjë lidhje me median,” deklaroi Rama në Twitter të dielën në darkë, ndërsa pretendoi se operacioni do t’i japë fund ndërtimeve pa leje, për të cilat vendi është i famshëm.
- Hysenbelliu, i cili ka aktivitete ekonomike në media, në prodhimin e birrës, në ndërtim, turizëm dhe fusha të tjera, deklaroi pas shembjes se shkaku i operacionit kishte të bënte me median e tij.
- “Unë jam i qartë për gjithcka ka ndodhur. E njoh shumë mirë trurin e Ramës. Kemi qëndruar shpesh sëbashku,” deklaroi ai. Sipas tij, fakti që IKMT shkoi fillimisht shtatorin e kaluar për të shembur pishinat dhe më pas, në dhjetor, për të shembur hotelin, tregon natyrën mafioze të veprimit të Ramës, e cila, fillimisht paralajmëron dhe, nëse paralajmërimi nuk ecën, vijon me shkatërrim.
Hysenbelliu deklaroi se ka në plan të krijojë degë të medias së tij në Shtetet e Bashkuara për të vijuar të luftojë atë që e konsideroi si korrupsion i Edi Ramës.
- Pjesa tjetër e medias në Shqipëri duket se zgjodhi ta konsiderojë shembjen e hotelit si një jongjarje, duke mos raportuar asgjë për të.
Sherri mes Hysenbelliut dhe Ramës nisi në fillim të këtij viti, kur mediat nën pronësinë e Hysenbelliut shënjestruan disa drejtorë qeverie, përfshirë Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, si njerëz të korruptuar me pasuri të pajustifikuar. Në maj, tatimet lëshuan urdhër sekuestroje për Birra Tirana, për detyrime tatimore të papaguara ndërsa në nëntor, Kuvendi i Shqipërisë ndryshoi ligjin për akcizat, duke sjellë automatikisht dyfishim të akcizës së birrës, tregu ku Hysenbelliu është i pranishëm përmes Birra Tirana dhe Birra Korça, dy ish-ndërmarrje shtetërore të privatizuara dy dekara më parë nga një qeveri tjetër socialiste.
- Inspektorati Kombëtar të Mbrotjes së Territorit, i cili drejtohet nga Dallëndyshe Bici, është raportuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si institucion që kryen shembje të paligjshme.
Në raportin e vet të vitit 2018 për Klimën e Investimeve, Departamenti Amerikan i Shtetit vërejti:
- “Ka pasur raportime të besueshme se qeveria ka shembur disa shtëpi pa proces të rregullt ligjor si pjesë e një fushate më të gjerë për shembjen e ndërtimeve pa leje. Qytetarët kanë dorëzuar ankesa se INUK ka injoruar kërkesat e qytetarëve për të shembur disa ndërtime pa leje, ndërsa kanë zgjedhur të shembin ndërtesa të tjera, për të cilat qytetarët nuk janë ankuar.”
Rasti i fundit nuk bën përjashtim. Duke punuar në mënyrë të pazakontë në fundjavë për të vendosur tritolin, IKMT duket se i mohoi Hysenbelliut mundësinë që t’i drejtohej gjykatave për të kërkuar masë mbrojtjeje paraprake