Padrejtësisht, “çunat e Anglisë” është kthyer në një batutë për të qeshur nga karriget më të larta të pushtetit, por mua nuk më vjen aspak për të qeshur. “Çunat e Anglisë” do të thotë EMIGRIM. Njeriu nuk emigron për qejf, por për mbijetesë.
Të emigrosh është një spostim fizik, por ajo që shpesh nuk merret parasysh kur flitet për emigracionin është ndryshimi psikologjik dhe emocional për personin që vendos të ndërmarrë këtë rrugë. Emigrimi është një përvojë traumatike, që përfshin një krizë të pashmangshme identiteti.
Largimi nga vendi yt zgjon ndjenjat e humbjes dhe çrrënjosjes, që ndikojnë në ndjenjën e identitetit, duke shkaktuar një krizë. Vetmia, izolimi, largimi, mungesa e ndihmës, ndarja nga komuniteti dhe dëshpërimi për humbjen e gjërave të shtrenjta, karakterizojnë gjendjen e emigrantëve. Ata jetojnë në krizë sepse janë të “shkulur”.
Duhen evidentuar ndjenjat e ankthit, trishtimit, dhimbjes dhe nostalgjisë, të kombinuara me pritshmëritë dhe iluzionet plot shpresë, të cilat çdo emigrant mbart me vete në valixhen e tij.
Duhen evidentuar ndihma ekonomike për familjarët e varfër Shqiptarë, ndihma ekonomike për Shqipërinë, lodhja, sakrificat!
Prandaj kur të thoni “çunat e Anglisë”, “çunat e Greqisë”, “çunat e Italisë”…ngrihuni në këmbë dhe mos u “zgërdhini” aspak. Janë “çunat” e një atdheu të çmendur!