Me nofkën “Provansa e vogël”, Sancto Lucio de Coumboscuro është një fshat i izoluar pothuajse në gjithçka.
- Shtrirë pranë kufirit midis rajonit të Piemontit në Itali dhe Francës, vizitorët ose duhet të fluturojnë drejt Torinos e më pas t’i hipin trenit apo autobusit, ose të udhëtojnë drejt jugut nga Provansa për të shkuar atje.
Vizitorëve u falet nëse vrasin mendjen nëse janë në vendin e duhur, sidomos kur vendasit iu thonë mirupafshim me një fjalë të padëgjuar për ta, “arveire” në vend të “arrivederci”.
Gjuha zyrtare e Coumboscuros është provensale, një dialekt i vjetër mesjetar neo-latin i oksitanes, gjuhës që flitet në rajonin e Oksitanisë në Francë.
- Në fshat jetojnë vetëm rreth 30 njerëz dhe jeta nuk është e lehtë. Coumboscuro përbëhet kryesisht nga familje barinjsh që shpesh i shohin bagëtitë nën sulmet e ujqve që enden andej.
Elektriciteti shpesh ikën për javë të tëra gjatë dimrit, ndërsa lidhja e internetit është minimale.
Por lëndinat malore të fshatit dhe fushat e purpurta me lule livando janë ideale për vizitorë që kërkojnë të stakohen nga e përditshmja, ashtu siç është edhe pamja mahnitëse nga majat e Alpeve që zbret poshtë në Cote d’Azur.
Stil jetese pa ritëm
Vendasit kanë për përqafuar një stil jetese të thjeshtë, me ritëm të ngadaltë, në harmoni me natyrën.
“Nuk kemi televizorë. Nuk ia ndjen mungesën asaj që nuk e ke, në radhë të parë. Kur na ikin dritat për 15 ditë rresht nuk ka arsye paniku; nxjerrim llampat me vaj të gjyshërve”, thotë për CNN Travel baresha vendase Agnes Garrone, 25 vjeç.
“Unë jam mësuar me zgjimin që pa gdhirë për t’u kujdesur për dhentë. Punoj 365 ditë në vit, zero pushime. Nuk njoh Krishtlindje apo Viti i Ri, sepse kopeja do ushqim e kujdes edhe gjatë festave”.
“Është jetë me sakrifica, por kur sheh ardhjen në jetë të një qengji ia bën hallall”.
Garrone drejton La Meiro di Choco, një fermë e vjetër që është i vetmi hotel në Coumboscuro.
Bujtësit aty flenë në kabina tradicionale druri, shijojnë prodhime të freskëta nga frutorja dhe kanë mundësinë të blejnë lesh nga më i miri nga një racë deleje indigjene italiane të quajtur Sambucana, të njohur edhe si Demontina.
Ndërsa shumë nga të rinjtë kanë ikur në kërkim të një të ardhmeje më të mirë gjetkë shumë vite më parë, Garrone dhe vëllezërit e saj vendosën të qëndronin e të punonin tokën e të parëve.
Nëna e tyre rrit kanabis e bimë të tjera për qëllime mjekësore dhe bën shurupe të ndryshëm.