Partizani do të luajë në turin e parë eliminator të UEFA Conference League dhe shorti që u hodh në Nyon të Zvicrës, i ka vënë përballë “demave” skuadrën e Saburtalo. Ndeshja e parë, do të luhet në Gjeorgji.
Dueli mes Saburtalo dhe Partizani do të luhet në stadiumin “Mikheil Mehski”, më datë 7 korrik në orën 18:00. Ndërsa sfida e kthimit, do të luhet një javë më pas në Shqipëri, nga ku do të vendoset dhe se cila skuadër avancon në raundin e dytë.
Por, sfida e kthimit nuk do të luhet në Tiranë, por në “Elbasan Arena”. Partizani pati dorëzuar në UEFA dy stadiume, “Air Albania” dhe “Elbasan Arena”, por duke parë se dy ditë më herë do të luajë Tirana kundër Dudelange në “Air Albania”, UEFA ka vendosur që ta transferojë Partizanin në Elbasan. Sfida e kthimit do të luhet më datë 14 korrik, në orën 20:00.