Një seri ngjarjesh të rënda që kanë përfshirë këto kohë Egjiptin, përfshirë kaosin e krijuar në kanalin e Suezit dhe përplasjen e dy trenave që mori 32 jetë njerëzish, disa i shpjegojnë me mallkimin e një faraoni të famshëm.
Problemet e këtyre ditëve, sipas disave, kanë nisur që në momentin që u njoftua se 22 mumje do të transferohen në një muze të ri, mes të cilave është dhe ajo e Ramsesit të II-të, të konsideruar si faraoni më i fuqishëm.
Bllokimi i çuditshëm i anijes gjigande, “Ever Given” në kanalin e Suezit ndodhi fill pasi u përhap lajmi i transferimit dhe për një javë, rruga e rëndësishme detare u bë e pakalueshme në të dy drejtimet.
Të premten, përplasja e dy trenave të pasagjerëve solli dhjetëra jetë të humbur në Tahta.
Ditën pasuese, një bllok apartamentesh u shemb papritur duke shkaktuar humbjen e jetëve të 18 personave të tjerë.
Kjo është arsyeja përse shumë përdorues të rrjeteve sociale mendojnë se bëhet fjala për një mallkim të shkuar mbi varrin e faraonit, ku thuhet:
“Humbja e jetës do të vijë me krahë të shpejtë për ata që shqetësojnë paqen e mbretit”, shkruan Arab News.
Fansat nxituan ta lidhin legjendën dhe transferimin e mumieve të planifikuar në 3 prill me fatkeqësitë e këtyre ditëve.
Sipas tyre, mallkimi mund ti sjellë sëmundjen apo edhe vdekjen atyre që shqetësojnë mumiet e lashta, sidomos atë të një njeriu kaq të fuqishëm si Ramsesi i dytë.
Egjiptologu i njohur Zahi Hawass i hodhi poshtë thashethemet duke thënë se nuk ekziston një mallkim i tillë.
Ai shpjegoi në TV Al-Arabiya se humbja e jetëve të arkeologëve që kanë zbuluar arkmortet e lashta erdhi si pasojë e mikrobeve, dhe jo legjendave.
Ai këmbënguli se procesi i transferimit të mumieve do të jetë “reklama më e madhe që mund t’i bëhet tani Egjiptit”./Top Channel