Pas shpërthimit të rasteve me COVID, kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ka propozuar që Shqipëria të shtrëngojë masat kufizuese për të paktën 2 javë.
Gjinushi deklaroi gjatë konferencës në Kuvend ”Pandemia dhe rimëkëmbja-strategjitë e përballjes dhe pritshmëritë e zhvillimit” se Shqipëria për të përshpejtuar uljen e kurbës, që tashmë ka nisur në vendet e tjera, i duhet të paktën një periudhë 2 javore me kufizime.
Nga ana tjetër ai thotë se Shqipëria aktualisht ka masa më të buta se në Europë.
“Vdekshmëria te ne nga dhjetori në 1%, kurba e përhapjes ka formën e një vargmali me 2 majë, në nëntor. Në të gjitha vendet ka nisur zbritja, ne sot ndodhemi ende në majë dhe presim fillimin e uljes nga vala e dytë. Kjo sepse zbatohen masa më të buta se në Evropë. Për të përshpejtuar uljen duhet të përforcojmë kufizimet për së paku një fazë 2 javore. Përballimi në pandemi në sa më pak dëme në ekonomi”, tha Gjinushi.
Gramoz Ruçi tha se përballimi i kësaj sëmundje kërkon bashkëpunim dhe pjesëmarrje.
“Kuvendi dhe parlamentarët u përgatitën për koronavirusin. Tërmeti na kujtoi se ligjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga fenomenet e natyrës duhet të rregullohen. Përballimi i pasojave të tërmetit kërkonte lidership teknik. Përballimi i pandemisë është një sfidë shumë e madhe. Përballimi i pandemisë kërkon lidership, që kërkon bashkëpunim të qeverisë me qytetarët. Kërkuam nga qytetarët bashkëpunim dhe pjesëmarrje. Pandemia ka shkaktuar pasoja ekonomike e sociale si dhe thellim të pabarazisë sociale”, tha Ruçi.
Ndërkohë gjatë fjalës së tij Taulant Balla tha se Shqipëria mori masat e duhura për menaxhimin e kësaj situate.