Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, deklaroi sot se vendimi për regjistrimin e PD do të jepet kur të mbarojë afati prej 48 orësh.
I pyetur nëse do ta regjistrojë PD-në dhe pa deklaratën solemne me firmën e Lulzim Bashës, Celibashi tha se përgjigjja është vendimi që do të marr pasi kalon afati 48 orë që i kam lënë PD për të plotësuar dokumentacionin.
“Përgjigjja për pyetjen tuaj është vendimi që unë si komisioner do të marr pasi të ketë kaluar afati 48 orë që i është në lënë në dispozicion PD-së për të plotësuar dokumentacionin që në bindjen time është i mangët. Afati përfundon sot në mesnatë”, deklaroi Celibashi.
Celibashi foli dhe për emërimin e komisionerëve të KZAZ ditën e djeshme pa një proces dhe njoftim publik. Ai tha se vendimmarrja e KQZ, çfarë ndodh në KQZ është në përputhje me të gjitha parashikimet e Kodit Zgjedhor, por edhe me principin që ne aplikojmë sikurse është transparenca e plotë.
“Ajo vendimmarrje është imponuar nga rrethanat, lidhen me procedurat që duhet të kryejnë komisionet zonale të administrimit zgjedhor në ato zona ku ka vetëm një KZAZ. Nuk është rasti i parë që vendimet për emërimet apo shkarkimet e anëtarëve të KZAZ nuk bëhen me mbledhje publike. Ne bëjmë publikisht mbledhjet kur është emërimi fillestar i anëtarëve të KZAZ”, tha Celibashi.