Shqiptarët kryesojnë listën e personave që kryejnë martesa fiktive në Britaninë e Madhe vetëm për tu pajisur me dokumente për të qëndruar në këtë shtet.
BBC News publikoi shifrat të cilat tregonin se 365 çifte ishin përpjekur të shfrytëzonin me mashtrim një skemë post-Brexit duke u dhënë qytetarëve të BE-së dhe bashkëshortëve të tyre të drejtën për të qëndruar në Britani. Ndërkohë Shqipëria kryeson tabelën e vendeve, me 146 shqiptarë të përfshirë.
Në artikull thuhet se disa individë e bëjnë këtë për para, ndërsa shpesh përfshihen bandat e krimit të organizuar.
Të gjitha martesat e propozuara ku njëri prej partnerëve nuk ka status imigrimi i referohen Home Office për hetim.
BBC publikon disa të dhëna:
Ndërmjet marsit 2018 dhe fundit të shtatorit 2021, 365 martesa midis një shtetasi të BE-së dhe një shtetasi jo të BE-së u zbuluan se ishin të rreme.
Ndjekjet e fundit penale kanë qenë në vitin 2018, ku nëntë persona u dënuan dhe katër prej tyre u larguan.
Që nga viti 2020, askujt nuk i është hequr leja për të qëndruar.
Shtetas të 60 vendeve, duke përfshirë shumicën e shteteve të BE-së, u implikuan.
Shqipëria kryeson tabelën e vendeve, me 146 shqiptarë të përfshirë.
Dr Ervin Muço, në Shqipëri, i tha BBC News se njerëzit paguanin bandat kriminale për atë që e shihnin si një biletë për një jetë të re.
“Këto rrjete dinë të mashtrojnë sistemin dhe po bëjnë para nga njerëzit që janë të gatshëm të paguajnë. Vitet e fundit, shumica e meshkujve shqiptarë që janë larguar nga ky vend kanë shkuar në Itali apo Greqi, por disa prej tyre nuk kanë mundur të marrin nënshtetësinë në këto vende.
“Kështu që disa përpiqen të gjejnë gra nga vendet evropiane me të cilat mund të martohen. Ata mund të kenë të gjitha përfitimet e të qenit qytetar evropian. Dhe për shkak se Britania ishte anëtare e BE-së, shumë shqiptarë janë tërhequr nga Britania e Madhe”-tha ai.
Ish-shefi i policisë Prof. Krenar Ahmeti, në Universitetin e Tiranës, pranon se bandat e krimit janë thelbësore në këtë çështje.
“Çdokush që aspiron të jetojë në një vend të pasur e di se ka disa dokumente kyçe që u nevojiten nëse do të integrohen në atë shoqëri,” tha ai, “por ata gjithashtu shpesh kanë nevojë për një organizatë për t’i ndihmuar ta arrijnë këtë.”
Zyra e Brendshme tha: “Ne e marrim shumë seriozisht abuzimin me rrugët e imigrimit të bashkëshortëve dhe partnerëve. Ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime përmbarimore kundër individëve që gjenden në një martesë të rreme ose partneritet civil, duke përfshirë anulimin e lejes së tyre dhe largimin e tyre nga MB.