Zëvendëskryeministrja e Rusisë, Tatiana Golikova, ka zbuluar se 80 për qind e vdekjeve në Rusi gjatë këtij viti janë të lidhura me sëmundjen Covid-19. Kjo nënkupton që shifra e viktimave të pandemisë në këtë shtet është tri herë më e lartë se numri zyrtar.
Rusia zyrtarisht deri më tani ka raportuar për 55.827 të vdekur nga koronavirusi. Sidoqoftë, vlerësimi i zëvendëskryeministres lë të kuptohet që shifra e vërtetë është rreth 186 mijë.
Shtetet përdorin mënyra të ndryshme për raportimin e të vdekurve nga koronavirusi, gjë që e bën të vështirë krahasimin ndërkombëtar mes vendeve, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Rusia është kritikuar për llogaritjen e shifrës zyrtare të të vdekurve duke u mbështetur në ekzaminimin pas vdekjes. Kjo nënkupton që rastet tjera të vdekjes, që kanë mundur të jenë të lidhura me Covid-19, ndoshta nuk janë llogaritur.
Zonja Golikova tha se vdekshmëria në 11 muajt e parë të këtij viti ka qenë për 13.8 për qind më e lartë se në vitin e kaluar. Në bazë të këtij njoftimi, i bie që 186.057 raste fatale kanë qenë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me koronavirusin.
Sipas agjencisë ruse të statistikave, Rosstat, këtë vit në Rusi nga të gjitha shkaqet kanë vdekur 229,700 persona.
Vdekjet nga koronavirusi kanë qenë në nivelin më të lartë gjatë muajit nëntor. Golikova tha se këto vdekje u shtuan në nëntor dhe dhjetor për shkak se kanë qenë të lidhura me sëmundjet tjera gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit.