Gazetari i njohur Arjan Çani është shprehur se nëse kryeministri Edi Rama do të marrë një mandat të tretë do të ndryshojë Kushtetutën si Putin”.
Sipas tij Rama nuk synon Presidencën, por ka një plan të një “niveli pervers” siç e quan gazetari përmes së cilit do t’i zgjasë pushtetin vetes derisa të jetë gjallë.
Pjesë nga intervista në studion e lajmeve të MCN TV
Arjan, po futemi në 10 ditëshin e fundit të fushatës dhe protagonistët janë më së shumti zoti Rama dhe zoti Basha. Përveç ditëve të para ku kryeministri u mor me portretet e disa kundërshtarëve, nuk shohim tone të larta. A mos përgatitet terreni për një bashkëqeverisje le të themi?
Për bashkëqeverisje nuk varet nga palët dhe le të imagjinojmë sikur ky është një vend normal ku bëhen zgjedhje normale pa futje duarsh nëpër vota apo shantazhe, kërcënime, blere votash, karta ID, pa vjedhje të dhënash personale.
Le të imagjinojmë që zgjedhjet janë një ditë feste kur njerëzit shkojnë dhe hedhin votën dhe ajo shkon atje ku ata duan. Në një situatë të tillë hipotetike gjithçka do të varej nga shifrat, nëse asnjë nga palët nuk do të kapte 50+1 sigurisht bashkëqeverisja është e mundshme.
Nëse ky rezultat do të ndodhte vërtetë që asnjë nga palët të mos kapë numrin e duhur për të bërë shumicën në parlament, bashkëqeverisja është e mundshme, unë e besoj.
Një bashkëqeverisja Rama- Basha më shumë se sa Rama-Meta, gjithçka është e hapur. Nëse një nga partitë kap 67 apo 65 deputetë gjëja e parë që do të mendojë është ta bëjnë qeverinë me kundërshtarin dhe të futemi në një epokë tjetër që siç e quajti Rama do të ishte qeveri e uniteti kombëtar.
La të kuptohet që ishte i hapur, por kjo varet nga shifrat. Unë nuk i besoj shumë këtij skenari sepse besoj që më 25 prill nuk do të ketë zgjedhje të ndershme, zgjedhjet do të jenë të manipuluara atje ku duhet me pikatore, jo gjithandej nëpër Shqipëri dhe kështu do të kemi një parti fituese.
Ka një tezë që qarkullon se zoti Rama synon Presidencën. Mendoni se e ka një ambicie të tillë zoti Rama, e shihni president të Shqipërisë?
Këto janë zëra kot që kam përshtypjen i hap vetë Rama sepse sipas meje se ka ambicie presidencën. Ai synon mandate të tretë dhe të katërt. Le të kujtojmë që Rama është 56 vjeç, një moshë e re në politikë dhe ka një ambicie më të madhe se në 2013-ën për të vazhduar në pushtet.
Pushteti është një thes i madh me para që ambiciozët duan ta kenë gjithmonë dhe duan ta shtojnë. Në këto kushte këto llafet janë për ti hedhur hi syve budallenjve.
Rama me siguri ka një plan tjetër pervers të një niveli shumë të lartë që nëse fiton një mandate të tretë ai do të bëjë gjithçka që të ndryshojë Kushtetutën, të cilën nuk e di sa do ta arrij dhe të bëjë atë që bëri Putini, të zgjasë jetën vetes derisa të jet gjallë.