Shqiptarëve duhet t’u ndalohet kërkesa për azil në Britaninë e Madhe, pasi ata vijnë nga një vend “dukshëm i sigurt”, tha Ministri i Emigracionit.
- Robert Jenrick tha se individë të tillë duhet të “përjashtohen nga e drejta për të kërkuar azil” pasi ai paralajmëroi se nivelet aktuale të migrimit në MB ishin “të paqëndrueshme”.
Komentet e tij erdhën pasi Ministria e Brendshme nuk pranoi të komentojë një raport në The Sunday Times se ministrat po punojnë për legjislacionin që mund të ndalojë azilkërkuesit që hyjnë në rrugë të paligjshme të vendosen në MB.
- Sekretarja e Brendshme Suella Braverman u raportua se po i kërkonte Kryeministrit Rishi Sunak të mbështeste planet për të ndaluar çdo migrant të paligjshëm pas mbërritjes.
Qeveria është nën presion të madh nga deputetët konservatorë për t’u marrë me çështjen e trafikantëve dhe të njerëzve që përdorin varka të vogla për të transportuar emigrantët përtej Kanalit.
Shqiptarët përbëjnë mbi një të tretën e 33,000 emigrantëve që mbërritën përmes kanalit në nëntë muajt e parë të këtij viti dhe Z. Jenrick tha se ata tani ishin “prioriteti numër një”.
- Javën e kaluar, zoti Sunak zhvilloi bisedimet e tij të para me kryeministrin shqiptar Edi Rama, në të cilat ata ranë dakord të mbyllnin “boshllëqet” që parandalonin kthimin e shpejtë të azilkërkuesve të dështuar, ndërsa zoti Jenrick sugjeroi se qeveria po kërkonte të shkonte më tej.
“Shqipëria është një vend dukshëm i sigurt. Është shumë e vështirë të shohësh se si një shqiptar duhet të jetë në gjendje të kërkojë me sukses azil këtu në MB,” tha ai për GB Neës.
“Ne kemi një marrëveshje kthimi, e cila është nënshkruar një vit më parë dhe një mijë shqiptarë janë kthyer tashmë. Ne po shikojmë se çfarë mund të bëjmë atje. Ne po ndjekim edhe kanalet diplomatike. Unë mendoj se ju duhet ta shikoni këtë hapësirë.”
Jenrick paralajmëroi se migrimi i paligjshëm ka të ngjarë të jetë një problem për “shumë vitet që do të vijnë” dhe tha se ministrat ishin dakord që nivelet e përgjithshme të njerëzve që hynin në vend ishin shumë të larta.
“Ne nuk mund të kemi një milion njerëz që hyjnë në vend brenda një viti dhe migrim neto prej gjysmë milioni – thjesht nuk është i qëndrueshëm,” tha ai.
Një sektor i gatshëm për reformë, – tha ai, ishin rregullat për vizat studentore dhe numri i personave në ngarkim që ata mund të sjellin në vend ndërsa studiojnë.
“Ajo për të cilën jam i shqetësuar është se ka njerëz që vijnë në universitete këtu si një mënyrë për të sjellë familjet e tyre në MB dhe për të qëndruar këtu për një periudhë të gjatë,” tha ai.
“Një numër shumë i konsiderueshëm njerëzish e përdorin këtë si një rrugë drejt një jete në MB. Ky është një shtytës i madh i migrimit neto”, tha ai