11 shtetas shqiptarë janë deportuar nga Britania e Madhe në vendin tonë. Sipas medias britanike Daily mail mes të deportuarve ka edhe të dënuar me disa vite burg për drogë, por edhe emigrantë të paligjshëm.
Në këtë fluturim, ishte edhe një burrë, i dënuar me mbi 26 vjet burg, pasi akuzohej për krime të ndryshme në fushën e narkotikëve, ndërsa të tjerët ishin persona të cilët kanë kaluar kanalin e “La Manshit” në mënyrë ilegale.
- Në artikull ndër të tjera bëhet me dije se grupi i shqiptarëve shoqërohej në avion nga 30 zyrtarë britanikë, të cilët ishin vendosur nga autoritetet vendase për t’u siguruar që të depërtuarit të mos ia mbathin kur të mbërrijnë në Shqipëri.
Pasi mbërritën në aeroportin e Rinasit, ata u morën me një autobus nga Policia e Shtetit, ku iu morën shenjat e gishtave dhe më pas dokumentet e identifikimit. Atyre iu vendos edhe ekspulsi 3-vjeçar në drejtim të zonave të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen. Te deportuarve u ndalohet lëvizja në zonën Shengen për 3 vite. Sipas Daily Mail, kjo do t’i ndalojë ata që të kthehen në Francë dhe nga aty, të kalojnë më pas në Angli.
Një prej të deportuarve ka pohuar për Daily Mail se është marrë nga burgu ku po vuante dënimin për prodhim kanabisi në Leicester.
- Përpara këtij udhëtimi në datë 1 dhjetor u bë një tjetër udhëtim nga Britania e Madhe në drejtim të Tiranës, ku u depërtuan 26 shtetas shqiptarë.
Mes tyre, ishte edhe shtetasi Jorgen Bami, i dënuar me 27 muaj burg, pasi u kap me një fermë kanabisi me 250 rrënjë, me vlerë 147 mijë paund në tregun e zi.
Bami fillimisht i tha policisë se ishte viktimë, i detyruar nga një bandë që të kujdesej për kanabisin në ‘shtëpinë e barit’ për të shlyer 20,000 £ borxhe që kishte familja e tij në Shqipëri. Ai pretendoi se të afërmit e tij do të vriteshin nëse nuk i kthente paratë.
Kjo gënjeshtër flagrante e tij u zbulua pasi një inspektim i policisë në celularin e tij, ku dëshmohej se ai ishte një person kyç në ndërmarrjen e drogës. Anëtarët e tij të bandës e thërrisnin atë “Bosi”.
Po ashtu, pjesë e grupit të parë ishte edhe Arben Rekaj, 25 vjeç, i cili është shpallur fajtor këtë vit për kultivimin e 99 rrënjëve kanabis, që kapte një vlerë prej 48 mijë paundësh në tregun e zi.
Një tjetër shqiptar ishte edhe Aurel Hoxha, 31 vjeç, “koka” e një ferme kanabisi në Bradford. Ai u dënua me 22 muaj burg në korrik të këtij viti, ndërsa rezultonte i dënuar për të njëjtën vepër penale edhe herë të tjera, në zona të ndryshme të veriut të Anglisë.
- Në Tetor autoritetet britanike kanë kthyer 120 shqiptarë të dënuar dhe të hyrë në vend ilegalisht. Daily Mail ka marrë asokohe në intervistë dy prej të kthyerve, të cilët kanë treguar se nuk kërkonin azil, por një jetë më të mirë. Deportimet kanë vijuar edhe në Nëntor. Sipas asaj që shkruajnë mediat britanike, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme atje mendojnë se po abuzohet me ligjin për skllavërinë moderne. Kjo pasi këtë vit janë shtuar kërkesat për t’u trajtuar nga ky ligj.