Alarm/ 4 të vdekur në më pak se 24 orë…

Në lidhje me ngjarjet e ndodhura në më pak se 24 orë ku mbetën të vrarë katër persona, ka reaguar edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

Përmes një statusi në “Facebook”, teksa publikon pamje nga vendngjarja e atentatit të Vlorës, Blushi bën përgjegjës Kryeministrin, Edi Rama, Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe Policinë e Shtetit, për mungesën e autoritetit të shtetit për të parandaluar ngjarjet kriminale.

Më tej Blushi hedh akuza të forta ndaj qeverisë, për të cilën thotë se është në aleancë me krimin.

“NUK KA SHTET! KA VETËM KRIM QË KA SHTETIN E VET!

Katër viktima në më pak se 24 orë është bilanci tragjik i revanshit të krimit dhe pasigurisë së jetës në mbarë vendin.

Mungesa e autoritetit të shtetit dhe vigjilencës për të parandaluar dhe goditur krimin përpara se ai të marrë jetët e qytetarëve është një akuzë e fortë për Kryeministrin, Ministrin e Brendshëm dhe Policinë e Shtetit.

Të kontrollosh jetën private, “deri edhe mendimet” e qytetarëve nëpërmjet patronazhistëve, por të dështosh me institucionet e ngarkuara me ligj në parandalimin e vrasjeve dhe moskapjen e autorëve të tyre do të thotë se kjo Qeveri është në aleancë me krimin, mburojë dhe frymëzuese e tij.

Një Kryeministër që 10 vite në pushtet promovoi krimin dhe trafikun e drogës me ministra në Qeveri, deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë në administratë është tregues se në Shqipëri krimi e ka kapur për fyti shtetin.

Është Rama përgjegjës që krimi nga nëntoka, ka dalë në publik dhe demonstron forcën para qytetarëve, duke u marrë deri dhe jetën”, shkruan Blushi.

Author: jehona