Të paraburgosurit e Gjykatës Speciale në Hagë krahas aktivitete të tjera, mund të frekuentojnë edhe dhomën e lutjeve, në të cilën Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e të tjerët mund të kryejnë ritualet fetare të fesë që i përkasin.
Madje, në dhomën e lutjeve, ata mund të lexojnë edhe libra që kanë përmbajte fetare.
Dhomat e Specializuara, në një përgjigje për “Reporteri”, kanë treguar se të paraburgosurve u ofrohen shërbime fetare nga njerëzit kompetent të fesë të cilës ata i përkasin.
“Rregullat e paraburgimit parashohin që përfaqësues të kualifikuar të besimeve fetare ose bindjeve të të paraburgosurve lejohen të mbajnë shërbime dhe aktivitete në ambiente të përshtatshme brenda objektit të paraburgimit dhe t’i vizitojnë të paraburgosurit në kohë të përshtatshme”, thuhet në përgjigjen e Speciales.
Të pyetur nëse në dhomën e lutjes gjendet Kurani dhe Bibla, pasi që të paraburgosurit deklarohen si myslimanë e katolikë, Gjykata Speciale nuk ka qenë e drejtpërdrejtë në përgjigje.
Megjithatë, në përgjigje, theksohet se Thaçi dhe të tjerët të akuzuar nga Haga mund të kenë në zotërim literaturë fetare e cila shërben si udhëzues të fesë që i përkasin.
“Gjithashtu, në masën që është praktikisht e mundshme, të paraburgosurve u lejohet të marrin pjesë në shërbimet fetare, ceremonitë ose takimet e disponueshme në objektin e paraburgimit dhe të kenë në zotërim libra, literature ose udhëzues që lidhen me besimet fetare ose bindjet e tyre, në varësi vetëm të kufizimeve të nevojshme për ruajtjen e sigurisë ose të rregullit në objektin e paraburgimit”, thuhet në përgjigje.