Shokët e klasës që dolën vëlla e motër

Dy persona që ishin shokë klase, të cilët i rilidhën kontaktet dekada më vonë në Facebook, bënë një zbulim tronditës: Ata janë vëlla e motër binjakë, të humbur prej shumë kohësh.

51-vjeçarja, Karen Warner, tha se e mësoi emrin e nënës së saj biologjike disa vjet më parë kur shteti i Indianas hapi regjistrat e birësimit dhe zbulimi erdhi me një befasi: ajo kishte një vëlla binjak.

Warner tha se kërkoi ndihmë nga faqe të ndryshme të birësimit në internet për të gjetur vëllanë e saj të humbur prej kohësh.

“Askush nuk mund të gjente asnjë informatë sepse nuk kishim ndonjë emër pas së cilit mund ta drejtonim kërkimin tonë”, tha Warner.

Ajo shtoi se zbulimi më i madh erdhi kur mori të dhënat lokale të votimit me listën që përmbante tre persona që ndanë datën e njëjtë të lindjes me të.

Emri i tretë në listë, Mike Jackman, u dallua sepse ishte shok klase i shkollës së mesme, me të cilin ajo së fundmi ishte bërë mike në Facebook.

Warner tha se i dërgoi Jackman një mesazh në Facebook, duke i thënë se mund të ishin vëlla e motër, dhe bënë një test AND-je i cili konfirmoi lidhjen e tyre.

“Ka qenë një boshllëk në jetën time që nuk e dija se ekzistonte. Kishte diçka që as nuk e dija se ishte dhe tani është këtu. Ajo është këtu”, tha Jackman.

Ata të dy deklaruan se tani flasin pothuajse çdo ditë dhe shihen disa herë në javë.

Author: admin