“POLITIKANË, RUANI VILAT QË KENI NGRITUR ME DJERSË. BREGDETI PO GLLABËROHET NGA DETI”

Shkrimtari Albatros Rexhaj ka publikuar në rrjetin social “Facebook”, ku është projektuar parashikimi se cilat zona të bregdetit shqiptar do të gllabërohen nga deti deri në vitin 2100.

Sipas të dhënave aktuale të ngritjes së nivelit të detit, qytetet e Vlorës, Durrësit, pastaj zona e Divjakës dhe e Fierit, Gjiri i Lalzit, Shëngjini dhe Velipoja rrezikojnë të zhduken nga harta e Shqipërisë.

“Një elitë serioze e udhëheqjes politike do të merrej me këtë gjë por udhëheqësit politikë duhet të mendojnë për vilat e tyre milionëshe që me aq shumë djersë i kanë ndërtuar në bregdet”.

Postimi i plotë nga Albatros Rexhaj

“Në këtë hartë është i projektuar parashikimi që cilat zona të bregdetit shqiptar do të gllabërohen nga deti, deri në vitin 2100.

Kjo llogari është bërë sipas trendit aktual të ngritjes së nivelit të detit, si pasojë e ngrohjes globale.

Siç shihet qytetet e Vlorës, Durrësit, pastaj zona e Divjakës dhe e Fierit, Gjiri i Lalzit, Shëngjini dhe Velipoja rrezikojnë të zhduken nga harta.

Kjo hartë ma përkujtoi parashikimin e Ben Blushit te libri i tij “Hëna e Shqipërisë”.

Sigurisht që pak nga ne, do të jenë në jetë për të parë këtë fuqi të natyrës, por gjithsesi një elitë serioze e udhëheqjes politike që nga tani do të merrej me këtë gjë për brezat që do të vijnë.

Është vit zgjedhor, por natyrisht ambienti dhe klima nuk është një temë mjaftueshëm serioze.

Por, në mos për asgjë tjetër, duhet të mendojnë për vilat e tyre milionëshe që me aq shumë djersë i kanë ndërtuar në bregdet.

Author: admin