Skuka drejt Serisë A…, Verona në “pole position”

Disa klube europiane janë vendosur në radhë me synimin për t’ia marrë Partizanit lojtarin më të mirë të skuadrës, Xhuliano Skuken. Interesi për dibranin nuk ka munguar as në verë, por pas debutimit me Kombëtaren dhe garancisë së vazhdimësisë që 24-vjeçari ka dhënë, në tavolinën e Partizanit është ulur një klub mjaft prestigjioz.

  • Bëhet fjalë për skuadrën e Serisë A, Hellas Verona.

Italianët kanë bërë një ofertë fillestare për yllin e ekipit të kuq, teksa bisedimet vazhdojnë. Gjithçka ka nisur në ndeshjen derbi, ku në stadium është parë Dritan Dervishi, drejtuesi i skautëve në klubin e Hellas Veronës, i shoqëruar nga drejtori sportiv i italianëve. Mësohet se pas ndeshjes ata kanë zhvilluar një takim me presidentin e Partizanit, Gazment Demi, të cilit i kanë bërë edhe ofertën e tyre për Xhuliano Skukën, me shifrat që mbeten ende një sekret.

  • Pas propozimit, presidenti Demi ka dhënë një refuzim me argumentin se Partizani po kërkon titullin dhe Skuka është shumë i rëndësishëm, por edhe nuk ka qenë shumë i bindur nga shifra e ofruar për “xhevahirin” e skuadrës së tij.

Gjithsesi, Hellas Verona po vazhdon të këmbëngulë për ta marrë Skukën që në janar dhe negociatat vazhdojnë ende, teksa në ditët në vijim në “emailin” e klubit të kuq pritet të vijë një ofertë e re e përmirësuar.

 

Pasaporta franceze e Skukës është gjithashtu një favor i madh, sepse ai nuk konsiderohet si ekstrakomunitar. Vetë Skuka, natyrshëm do të donte të transferohej në Serinë A, por në kushtet aktuale gjithçka është në dorën e Partizanit, pasi dibrani ka edhe dy sezone e gjysmë kontratë si “dem”.

 

Author: jehona