Zyrtari i PS: Shefi i komisariatit merr 4 mijë euro për çdo parcelë kanabisi

Parcelat me kanabis në fshatrat e Vaut të Dejës kultivohen me mbështetjen e Policisë. Deklarata e fortë bëhet nga një zyrtar i lartë i Bashkisë së Vaut të Dejës, i cili përveçse ka kallëzuar penalisht drejtuesin e Policisë në zonë, ka folur edhe publikisht.

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Zhuri, ish-drejtues i njësisë Administrative, Temal, akuzoi publikisht shefin e komisariatit, Bardhyl Spahiu, se paguhet nga kultivuesit e drogës me shumën e 4 mijë eurove për të mos prekur parcelat me lëndë narkotike.

Zyrtari lokal u shpreh se kishte njoftuar edhe Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, duke theksuar se nuk është marrë asnjë masë deri më tani.

Unë kam njoftuar të gjitha instancat e shtetit shqiptar. Kam informuar edhe Kryeministrin e Shqipërisë dhe Ministrin e Brendshëm. Po ashtu kam njoftuar edhe ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Me mbështetjen e tij zona është kanabizuar, ata që paguajnë 4 mijë euro për parcelë nuk u është hequr parcela, ndërsa të tjerëve u është hequr.”

Nga ana tjetër, në muajin korrik, gjatë djegies së kanabisit janë djegur rreth 200 hektarë pyje dhe nuk është marrë asnjë masë. Unë kam shkuar me shkresa dhe me numër protokolli dhe skam marrë asnjë përgjigje. Përgjigjja e vetme ishte kërcënimi nga ana e komisarit të Policisë. Provat i kam çuar edhe te SHKB-ja, kam komunikuar edhe me Ardi Veliun, kam shkëmbyer mesazhe në ‘Whatsapp’ me të, por asgjë nuk është bërë. Unë kërkoj që ky të shporret një orë e më parë nga komisariati dhe të ndiqet penalisht”, u shpreh ai.

Ndërkohë, në letrën e dërguar nga Mark Zhuri në drejtim të Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, thuhet:

“Kërkoj nga ana juaj që të shkarkoni urgjentisht për vepra kriminale shefin e Komisariatit të Vaut të Dejës, zotin Bardhyl Saliu, pasi institucionin që drejton për afro dy vite me radhë e ka kthyer në një vend terrori ndaj banorëve të bashkisë.

  1. Së pari personi në fjalë ka ndihmuar grupet kriminale për kanabizimin e territorit, kryesisht në zonat malore, duke mbështetur ata trafikantë që paguajnë 3-4 mijë euro për parcelë.
  2. Së dyti, gjoja në emër të shkatërrimit të parcelave të hashashit, ka djegur me dhjetëra hektarë pyje dhe kullota në Njësinë Administrative Temal.
  3. Së treti, ata që ndërtojnë dhe paguajnë faturën prej 1500-2000 euro, lejohen të ndërtojnë.
  4. Së katërti, prej dy vitesh që është në detyrë, shefi i komisariatit nuk ka organizuar asnjë takim me banorët, kryepleqtë dhe administratorët e fshatrave për të bashkëpunuar në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”.

Nga ana e tij, shefi i Komisariatit të Policisë së Vaut të Dejës, Bardhyl Saliu, hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se në zonë kanë zhvilluar kontrolle edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana.

“Unë, zotit Zhuri i kam bërë kallëzim në Prokurori që më 9 shtator të këtij viti. Ato që ai shkruan dhe akuzon nuk qëndrojnë. Për këto pretendime ka pasur grupe që kanë ardhur dhe kanë kontrolluar territorin nga Tirana jo vetëm një herë, por disa herë. Unë nuk kam ndërmend të merrem me akuza e kundërpërgjigje të tilla, kam 37 vite në Policinë e Shtetit dhe jam në këto detyra me integritet pa ndihmën e askujt, por duke dhënë kontributin tim profesional”, thotë ai.

Ky është zyrtari i dytë vendor që denoncon fenomenin e kultivimit të kanabisit me mbështetje të drejtuesve të Policisë dhe segmenteve të tjera shtetërore. Në mars të këtij viti, Prefekti i Lezhës, Gjok Jaku, shënjestroi punën e Policisë dhe Prokurorisë, që sipas tij nuk i kanë trajtuar dhe hetuar siç duhet të rastet e kultivimet të bimëve narkotike, ndërsa tha se të përfshirë në këtë veprimtari kanë qenë edhe zyrtar të shtetit.

“Dua ta them që në dijeninë time, numri i rasteve që është hetuar me themel dhe kanë shkuar përpara drejtësisë është shumë i kufizuar në raport me masën e bimëve narkotike që janë gjetur. Kjo është përgjegjësia e Prokurorisë, mbase edhe e Policisë, për thellësinë e hetimit mbi këtë veprimtari”, tha ai gjatë mbledhjes së Task-Forcës, duke theksuar se gjatë vitit 2021, fenomeni i përhapjes së kanabisit kishte pësuar rritje.

Rreth një muaj më vonë, Jaku dha dorëheqjen nga posti. Megjithëse nuk dihet nëse kjo dorëheqje lidhej me deklaratat e tij të bujshme, ai theksoi faktin se kishte qenë ndër të vetmit që kishte denoncuar fenomenin publikisht. “Mua s’më rri mirë kostumi i njeriut të bindur, të përulur para arrogancës që herë-herë pushtetarët manifestojnë”, shkruante ai

Author: jehona