Maradona/ Topi i “Dorës së Zotit”, vlen 3 milionë dollarë

Gati për ankandin. Topi me të cilin Diego Armando Maradona realizoi golin historik, që mori epitetin “Dora e Zotit”, ka dalë në shitje. Ai episod në çerekfinalen ndërmjet Argjentinës dhe Anglisë, në Botërorin 1986, mund të cilësohet edhe si gafa më e rëndë që ka ndodhur në eventin më të rëndësishëm.

  • Topi do të dalë në shitje me vlerën që varion nga 2,5 deri në 3 milionë dollarë. Data e nisjes së ankandit është 16 nëntor, vetëm pak ditë përpara startit të Botërorit 2022 në Katar. Vendimi që sendi me vlerë historike të dalë në shitje është marrë nga Ali Bin Nasser. Bëhet fjalë për arbitrin nga Tunizia, që në atë ndeshje të çmendur, e cilësoi të vlefshëm golin, pavarësisht protestave të ashpra të lojtarëve anglezë.

Ky top është pjesë e historisë së futbollit botëror. Ka ardhur momenti i duhur që ta ndaj me botën. Uroj që blerësi të jetë në gjendje ta ekspozojë për të gjithë tifozët”, tha Nasser. Shitja e sferës me të cilën Maradona shënoi golin legjendar, po trajtohet si një event tejet i rëndësishëm. Ankandi do të transmetohet direkt në internet dhe të gjithë blerësit potencialë mund të regjistrojnë ofertat online prej 28 tetorit.

Topi është objekt i ndeshjes më kontroverse të futbollit. Falë atij topi “Pibe de Oro” hyri zyrtarisht në legjendë. Sfera u përdor gjatë gjithë 90-minutëshit të ndeshjes në Qytetin e Meksikës, më 22 qershor 1986. Një objekt ikonik, me të cilin u realizua goli i pagëzuar si “Dora e Zotit”, por edhe “Goli i Shekullit”, me Maradonën që dribloi të gjithë lojtarët anglezë. Ai top i dhuroi Argjentinës gjysmëfinalen dhe i hapi rrugë triumfit të vetëm të “albiçelestëve” në Kupën e Botës.

Author: jehona