E Kryer /Futbolli i Kategorisë Superiore do transmetohet në “Oversport”

Kompania “Oversport” ka fituar të drejtën për të transmetuar ndeshjet e kampionatit shqiptar. Bëhet fjalë jo vetëm për Kategorinë Superiore, por edhe për Kupën, Superkupën dhe ndeshje të Kategorisë së Parë.

“Oversport” bën me dije se do të jetë partneri dhe transmetuesi zyrtar i “Abissnet Superiore” pas nënshkrimit të marrëveshjes me FSHF-në. Gjithashtu në mënyrë ekskluzive sigurohet edhe Kategoria e Parë, Kupa dhe Superkupa e Shqipërisë. “Oversport” dhe FSHF kanë vendosur kështu të hedhin një hap cilësor në përmirësimin e futbollit shqiptar në të gjitha aspektet, atë ekonomik dhe teknologjik. Nga ky bashkëpunim skuadrat e Superiores sigurojnë më shumë të ardhura nga e drejta televizive pasi oferta e Oversport ishte oferta më e mirë në garën për të drejtat. Publiku në Shqipëri dhe Kosovë do të ketë fatin të prekë nga afër risitë e Oversport, që në bashkëpunim me partnerin teknologjik Tibo do të sjellë opsionet “catch-up” dhe regji “Live!” individuale nga telefonët dhe televizorët e tyre. Prej një viti, Oversport transmeton në mënyrë ekskluzive kampionatin më të dashur për shqiptarët, Serinë A (për Shqipërinë dhe Kosovën). Si kurrë më parë ndeshjet u komentuan dhe u transmetuan “Live!” nga stadiumet mitike italiane “San Siro”, “Juventus Stadium”, “Olimpico” etj, me intervista dhe emisionet të dedikuara. Oversport dhe Tibo janë gati të përcjellin derbet historike dhe ndeshjet madhështore nga çdo qytet i Shqipërisë.

 

 

Author: jehona