Sot u zhvillua seanca e parë gjyqësore në Gjykatën e Tiranës në Dhomën Penale ndaj gazetarit të RD, Rexhep Polisi. Godolja kërkoi që gazetari të përgënjeshtronte shkrimin ndaj saj edhe pse në shkrim nuk kishte asnjë fyerje e shpifje, ndërsa gazetari Polisi nuk e pranoi kërkesën e Godoles, por i kërkoi gjyqtarit që të vazhdonte procesi gjyqësor.
Ajo që ra në sy gjatë kësaj seance ishte se, gjyqtari Gjermeni u tregua i njëanshëm në këtë seancë pasi i shprehu keqardhje znj.Godolja për “vuajtjet” në regjimin komunist dhe e vlerësoi për qëndrimet e saj gjatë daljeve në emisionet televizive.
Reagimi i gazetarit Polisi
Pse nuk u tërhoq Godolja nga padia ndaj meje në seancën e parë gjyqësore
Sot u zhvillua seanca e parë gjyqësore në Gjykatën e Tiranës në Dhomën Penale ndaj meje, pas padisë së bërë nga Jonila Godolja (publikisht mbiemrin e vendos Godole, ndërsa në shkresat zyrtare Godolja).
Gjyqtari Artan Gjermeni tha se, ligjërisht seanca e parë është për pajtim mes dy palëve dhe nëse gjeni gjuhën e përbashkët me një marrëveshje ndërmjet jush çështja pushohet.
Godolja u shpreh se, “jam prekur sepse në shkrim është përmendur edhe babai im që nuk jeton më . Unë tërhiqem nga padia nëse zoti Polisi bën përgënjeshtrimin e shkrimit në një gazetë të madhe”.
Sigurisht nuk pranova të bëj përgënjeshtrim duke sqaruar se, nuk kam bërë asnjë “fyerje” dhe “shpifje” në shkrimin tim “Cili është misioni i Godoles në PD”, për të cili znj.Godolja më ka paditur. Jam gati të publikoj reagimin e znj.Godolja ndaj shkrimit tim në gazetën “RD” ku e kam publikuar, nëse ajo ka një reagim.
Gjyqtari Gjermeni u tregua i njëanshëm në këtë seancë pasi i shprehu keqardhje znj.Godolja për “vuajtjet” në regjimin komunist dhe e vlerësoi për qëndrimet e saj gjatë daljeve në emisionet televizive.
Unë u shpreha se, në shkrimin tim nuk ka asnjë fyerje dhe shpifje. “Shkrimi im është thjesht një Opinion dhe kam shkruajtur për Gogolen si politikane, jo si individ. Nëse do të kisha fyer apo shpifur ndaj zonjës Godolja do të kërkoja falje këtu dhe publikisht, por nuk kam bërë asnjë shpifje. Unë e dija që babai i saj nuk jeton më dhe nuk e kam përmendur emrin e tij në shkrim.
Unë kam shkruajtur se, znj.Godolja është anëtare e kryesisë së PD dhe Sekretare për të Përndjekurit Politikë, ndërsa në një emision televiziv tha se, “as kam qënë, as jam dhe as do të bëhem ndonjëherë anëtare e PD”. Po si ka mundësi që znj.Gogolja pa qënë anëtare partie të ngjitë shkallët e karierës në PD?! Unë kam prova dhe kërkoj që çështja gjyqësore të mos mbyllet, por të vazhdojnë seancat gjyqësore”! Këto ishin fjalët e mia para gjyqtarit Gjermeni dhe seanca e radhë u la për në datën 6 shtator në orën 12:30.
Në fakt, unë mbeta i çuditur nga padia e zonjës Godolja, se si ajo ju bind rekomandimit të një ish-kolegu gazetar në gazetën “55”, K.Dervishi, i cil në debat publik në faqen e tij në Facebook me ndjekësit e tij, shkruante ndër të tjera se, “i rekomandova Jonilës kallzim penal…”, dhe mesa duket ai ja arriti t’i mbushë mendjen zonjës Godolja që të më padisë! Por pse ky mllef, ky zell i devotshëm nga një koleg ndaj kolegut që i kërkon Jonilës të më padisë, në një kohë që nuk kam bërë asnjë shpifje në shkrimin tim?!
Ja dhe shkrimi për të cilin më ka paditur Godolja
Cili është misioni i Godoles në PD ?
Nga Rexhep POLISI
Jonila Godole deklaroi mbrëmë në emisionin “Opinion” se, nuk është anëtare e Partisë Demokratike dhe as nuk do të bëhet ndonjëherë anëtare e kësaj Partie. Ndërkohë Jonila Godole është Sekretare për të Përndjekurit Politikë në PD si dhe anëtare e kryesisë së kësaj Partie e emëruar nga Basha. Të gjithë e dinin se Godiolja nuk kishte asnjë lidhje me ish-të përndjekurit politikë dhe me Partinë Demokratike, por ajo kishte penetruar në PD për një mison, siç deklaroi mbrëmë.
Po cili është misioni i Jonila Godoles në PD?
Është fare e kuptueshme se Godole është futur në PD me orientim të Soros dhe misioni i saj është dobësimi dhe shkatërrimi i Partisë Demokratike. Që ditën e parë që u emërua Sekretare për të Përndjekurit Politikë në PD, Godole doli me një deklaratë publike duke kërkuar largimin e liderit historik, Sali Berisha nga Partia Demokratike.
Godole jo vetëm që jep udhëzime se kush duhet të të largohet nga PD, por edhe bën lista se kush duhet të futet në PD. Me idetë e saj komuniste, janë futur në kupolën e PD njerëz pa kontribute dhe me bindje të majta vetëm e vetëm që ta kenë nën kontroll Partinë Demokratike dhe ta kthejnë atë në një shtojcë të “Rilindjes”.
Jonila Godole u emërua Sekretare për të Përndjekurit Politikë në PD, por edhe pse mban këtë funksion ajo e ka shfaqur hapur alergjinë që ka për për ish-të përndjekurit dhe burgosurit politikë. Kjo shtresë e përvuajtur dhe masakruar nga diktatura e ka shprehur hapur se nuk e gjen veten te Godolja dhe ata që e rrethojnë Godolen. Asnjë nga kjo shtresë nuk i afrohet Godoles dhe të gjithë kanë alergji prej saj!
Godole nuk ka bërë asnjë aktivitet për të ish-të përndjekurit politikë dhe as ka për të bërë ndonjëherë se qëllimi saj nuk është bashkimi i të djathtës dhe shtresës së të persekutarve nga diktatura, por përçarja dhe përbuzja ndaj tyre.
Jonila Godole nuk ka asnjë lidhje me PD-në. Ajo vjen nga një familje komuniste që ka goditur atë shtresë që gjoja ajo “përfaqëson” në Partinë Demokratike. Babai i saj ka qënë oficer kufiri në Sarandë në kohën e diktaturës. Dihet se oficerët në pikat kufitare përzgjidheshin nga regjimi, ata ishin njerëzit më të zellshëm dhe më të besuarit e partisë-shtet që t’i shërbenin diktaturës.
Godolja që në moshën 17 vjeçare, siç deklaroi vetë mbrëmë në “Opinion”, ka nisur punën si gazetare dhe i ka shërbyer me devotshmëri Partisë Socialiste dhe luftës të pakursyer kundër PD dhe liderit historik Sali Berisha.
Tani Godole flet edhe për të ardhmen e PD(?!) Por Godolja para se të flasë për të ardhmen e PD duhet të flasë për të shkuarën e saj dhe të kërkojë falje për nxitjen e revolucionit komunist në vitin ’97 me shkrimet e saj kriminale!
Një nga shkaqet që demokratet sot urrejnë Bashën është edhe Godole sepse u emërua Sekretare për të Përndjekurit Politikë në PD ndërkohë që nuk ka asnjë lidhje me të persekutuarit sepse rrjedh nga nje familje komuniste dhe i ka shërbyer dhe i shërben PS-së.
Godolja u emërua edhe anëtare e kryesisë së PD ndonese nuk është anëtare e PD dhe nuk ka votuar asnjë herë për PD. Si mund të reformohet PD me komunistë?!