Kardio-kirurgu me mbi 350 mijë euro ‘cash’, revoltohet gazetari: Po detyrohet njeriu të shesë lopën për të shpëtuar fëmijën. Të bëhet VETTING në shëndetësi!

Mjeku Edvin Prifti – Mentor Kikia
Gazetari i njohur Mentor Kikia ka reaguar për rastin e përfshirjes në korrupsion të mjekut të njohur Edvin Prifti, pas përgjimeve që po bëheshin për llogari të gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha.

Priftit iu gjetën mbi 350 mijë euro ‘cash’, në zyrë dhe në shtëpi. Reagimet në opinionin publik dhe në media kanë qenë të shumta dhe së fundmi gazetari kikia është revoltuar së tepërmi.
Ai bën thirrje për një vetting të thellë në sistemin e shëndetësisë, pasi duke parë shifrat e larta të rryshfeteve, ai del në konkluzionin se rritja e pagës nuk është një zgjidhje.

“Mjekët i meritojnë lekët se shpëtojnë jetë, por në shtet shkon ai që nuk ka lekë. Këta po i detyrojnë njerëzit të shesin lopën për të shpëtuar fëmijën”, shkruan ndër të tjera gazetari Kikia.

Shënimi i Mentor Kikisë

Nevoja e një vettingu edhe në sistemin e shëndetësisë

Përgjimi për llogari të një hetimi ndaj një gjykatëseje në Krujë, zbuloi rastësisht edhe emrin e një mjeku që i kishte marrë para një sekretareje të gjykatës për ti kuruar nënën. Përgjimi i çoi prokurorët në shtëpinë e mjekut, ku gjetën dhe sekuestruan mbi 350 mijë Euro. Bëhet fjalë për një emër të njohur të mjeksisë tonë, doktorin e kardio-kirurgjisë Edvin Prifti.

Pavarësisht se doktori është një emër i njohur dhe i sukseshëm, marrja e rryshfeteve për operacionet që bën në spitalin e shtetin, shkatërron çdo fije dinjiteti profesional e njerëzor.

Ndërsa rasti, tregon edhe njëherë sesa ulëritëse është nevoja për të eliminuar këtë pazar të shëmtuar me jetën e njerëzve në spitalet tona publike.

Mjekët të shpëtojnë jetën – thonë disa – ndaj i meritojnë paratë.

Po i meritojnë! Të shkojnë të hapin spitale private dhe ta bëjnë operacionin edhe 1 milion Euro. Spitalet publike janë që të shpëtojnë kokën edhe ata që nuk kanë mundësi të paguajnë tek privatët. Të detyrojnë një fukara të shesë lopën për të shpëtuar fëmijën, kjo nuk duhet të pranohet.

Padyshim që rritja e pagës është një opsion, por nuk besoj se do ti “hyjë në sy” një njeriu që siguron nga rryshfetet 1 mijë Euro në ditë.

Rritja e pagës duhet të shoqërohet me një “vetting” dhe ndëshkime penale. Shtrëngimi, përmes një mijë mënyrave, i qytetarëve që të paguajnë rryshfet është zhvatje, është një vepër penale.

Dhe ata që e bëjnë duhet të ndëshkohen

Author: admin