Shqipëria do të luajë një miqësore të tretë në muajin nëntor përveç atyre ndaj Italisë (16 nëntor) dhe Armenisë (19 nëntor) të zyrtarizuara tashmë prej disa ditësh. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Kombëtarja shqiptare do të përballet me Katarin në ndeshjen që do të luhet më datë 9 nëntor në Marbella të Spanjës e që do të nisë në orën 18:30.
- Të dyja Federatat kanë arritur marrëveshjen për këtë miqësore dhe kanë zyrtarizuar akordin për atë që do të jetë përballja e tretë në histori mes dy vendeve. Dueli i parë mes Shqipërisë dhe Katarit është luajtur në maj të vitit 2012 dhe miqësorja e luajtur në Madrid përfundoi me fitoren 2-1 të kuqezinjve me gola të shënuar nga Elis Bakaj dhe Erion Bogdani.
Sfida e dytë ka qenë ajo e luajtur më 22 maj 2016 në Austri, një nga testet e fundit para pjesëmarrjes së Shqipërisë në finalet e Euro “Francë 2016”. Miqësorja u mbyll me fitoren 3-1 të përfaqësueses shqiptare me gola të realizuar nga Arlind Ajeti, Ermir Lenjani dhe Armando Sadikut.
- Pjesa më e madhe e lojtarëve që do të grumbullohen për këtë ndeshje do të jenë nga kampionati shqiptar, ashtu siç ndodhi në miqësoren me Arabinë Saudite. Ky test do të jetë një mundësi shumë e mirë për të testuar dhe për të parë në aksion elementet e spikatura të kampionatit shqiptar.