Infrastruktura mbrojtëse nga përmbytjet në Shqipëri ka nevojë për riparime. Sipas vlerësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, 65 % e digave në vend kanë probleme të theksuara teknike.
- Për të parandaluar përmbytjet nevojitet ndërhyrje urgjente. Shkodra, Fieri, Vlora dhe Tirana janë bashkitë më të rrezikuara nga përmbytjet.
“Tirana ka prioritet imediat ndërhyrjen në diga, rehabilitimi i digave dhe rezervuarve duke qenë se Tirana ka rreh 40 diga në administrim. Po ashtu në Shkodër, kaskada e Drinit mbetet një ndër pikat më të dobëta kritike që ne duhet të fokusohemi për rehabilitim”, thotë Adisa Bala, drejtoresha e menaxhimit të riskut në AKMC.
Po ashtu ndërhyrje duhet të bëhen në argjinaturat e lumenjve dhe kanalet kulluese të qyteteve kryesisht perëndimore.
- Nga 850 kilometra argjinatura lumore dhe detare, 300 km prej tyre kanë nevojë për riparim, rehabilitim apo rindërtim. Një ndër ta është shtrati i lumit Lana pranë Pallatit me Shigjeta, ku vetëm vitet e fundit ka pasur disa herë përmbytje.
Brenda një periudhe 9-vjeçare Shqipëria duhet të rehabilitojë infrastrukturën e dëmtuar ku ka risk shembje, si dhe të ndërtojë vepra të reja mbrojtëse aty ku është nevoja.
“Qeveria shqiptare, institucionet nuk mund të shpenzojnë më buxhete se nuk e kemi luksin për të rehabilituar efektet e një emergjence natyrore, është e rëndësishme të fokusohemi në ndërhyrje dhe parandalim”, shprehet Adisa Bala.
Përmbytjet janë një ndër fatkeqësitë natyrore që ndodhin më shpesh në Shqipëri.