Çdo ditë, ka të paktën një person të zgjuar që nuk mban një rrip sigurie, kalon rrugën pa parë të dyja anët, ose klikon “përgjigju të gjithëve” në email, kur ka për qëllim t’i përgjigjet vetëm një personi. Përfundimet e këtyre veprimeve, të cilat shkojnë nga sikleti deri në vdekjen e parakohshme, janë të njohura për të gjithë ne.
Ne marrim boll paralajmërime nga prindërit, mësuesit, shokët dhe kolegët – dhe nëse kjo nuk na mjafton – ne thjesht i referohemi atyre historive të tmerrshme nga jeta reale. Pra, filani vdiq, sepse ai nuk vinte një rrip sigurimi … ose u godit nga një makinë sepse e kaloi rrugën kur nuk duhej.
Kur dëgjojmë këto tregime, e kemi kollaj ti shpërfillim viktimat si budallaqe ose të pakujdesshme. Ne mund të mendojmë me vete “Ku e kishin mendjen?” Në të njëjtën kohë, nuk mendojmë dy herë kur hyjmë në taksi dhe nuk vëmë rrip sigurimi, ose të ecim nëpër rrugë, kur makina po shpejton drejt nesh. Në një farë mënyre, injorojmë arsyen e lindur dhe të angazhohemi në këtë sjellje të rrezikshme dhe të marrë. Pse?
Një përgjigje, sipas Heather Butler, një asistent profesore e psikologjisë në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë, është se njerëzit e zgjuar nuk janë në të vërtetë të gjithë të zgjuar. Në një artikull të kohëve të fundit për Scientific American, Butler trajton temën se pse njerëzit e zgjuar sillen si budallenj, duke diferencuar midis inteligjencës dhe aftësive të të menduarit kritik. Ajo argumenton se inteligjenca, e cila matet në masë të madhe nga IQ dhe rezultatet e testimit, nuk ka lidhje me aftësitë e të menduarit kritik, “një koleksion aftësish njohëse që na lejojnë të mendojmë në mënyrë racionale, në një mënyrë të orientuar nga qëllimi, dhe një prirje për t’i përdorur këto aftësi kur është e përshtatshme”. Në terma më të thjeshtë, mendimtarët e aftë kritikë mbështeten në logjikën, faktet dhe provat për t’i ndihmuar në udhëheqjen e mendimeve dhe sjelljeve të tyre.
Për një shembull nga bota reale, shikoni dallimin mes besimtarëve dhe mohuesve të ndryshimeve klimatike. Shumica e komunitetit shkencor (97 përqind) besojnë fuqishëm se ndryshimi i klimës është një kërcënim i vërtetë për mjedisin, duke cituar pikat e matshme të të dhënave, duke përfshirë CO2 të rritur në atmosferë, thatësirat, dhe temperaturat në sipërfaqen e detit. Ndërkohë, mohuesit e ndryshimeve klimatike, të cilëat përbëjnë më shumë se gjysmën e Kongresit të SHBA, ia vënë fajin “aktivitetit diellor, korrupsionin midis shkencëtarëve, Al Gore dhe vullnetit të Perëndisë”. Ata gjithashtu pretendojnë se klima e Tokës ka ndryshuar gjithnjë, gjë që është teknikisht e vërtetë, deri kur prezantoheni me studime të kohëve të fundit që sugjerojnë se planeti duhet të hyjë në një periudhë ftohëse dhe jo ngrohëse.
Kjo nuk do të thotë që të gjithë refuzuesit e ndryshimeve klimatike janë në thelb budallenj. Disa skeptikë, në fakt, janë njerëz objektivisht inteligjentë, sipas këtij studimi të botuar në “Nature Climate Change”. Studiuesit zbuluan se besimi i tyre (ose mosbesimi) rrjedh nga një konflikt interesi “ndërmjet interesit personal që individët kanë në formimin e besimeve në përputhje me ato që mbështeten nga të tjerë, me të cilët ata ndajnë lidhje të ngushta, dhe ato kolektive që ata ndajnë, duke përdorur shkencën më të mirë në dispozicion për të promovuar mirëqenien e përbashkët”. Kjo do të thotë, këta individë përndryshe inteligjentë, thjesht zgjedhin partinë mbi vendin (ose, në këtë rast, faktet).
Mungesa e aftësive të të menduarit kritik mund të mos jetë e vetmja arsye pse njerëzit e zgjuar angazhohen në sjellje budallaqe. Efekti “Ç’dreqin …” ka qenë i lidhur ngushtë me psikologjinë e dietës. Njerëzit në dietë që luftojnë me vetëkontrollin e njohin shumë mirë këtë skenar: Ju premtoni të hiqni dorë nga ëmbëlsirat, por në fund i fusni një kafshim. Dhe meqenëse e keni bërë tashmë, mendoni me veten tuaj: “Çfarë dreqin do ndodhë? E kam prishur tashmë këtë dietë”, dhe mbaroni gjithë ëmbëlsirën. Ky efekt nuk zbatohet vetëm për ngrënien apo pirjen. Shumë prej nesh nxitojmë të sakrifikojmë vullnetin tonë (dhe synimet më të mira) kur bëhet fjalë për qëllimet që lidhen me marrëdhëniet personale, pazaret apo edhe punën. Ju tashmë i keni shkruar ish-it tuaj një herë? Mund ta bëni përsëri. Ju tashmë e keni kaluar buxhetin? Disa qindra dollarë nuk do të bëjnë shumë ndryshim. Megjithatë, kur na ndodhin, ne tentojmë t’i interpretojmë këto veprime si momente dobësie, e jo marrëzie.
Kjo na çon në arsyen e tretë pse njerëzit inteligjentë bëjnë gabime budallaqe. Njerëzit e zgjuar tentojnë të mendojnë se janë më të mençur dhe më të mirë se të gjithë të tjerët. Në shembullin e ëmbëlsirës, një person i zgjuar mund të fajësojë personin që pjek ëmbëlsirat, në vend të personit që i ka ngrënë ato. Profesori Andre Spicer i referohet kësaj si paragjykimi vetë-shërbyes:
“Jo të gjithë mund të jenë mbi mesataren, por ne të gjithë mund të kemi iluzionin se jemi … Ne grumbullojmë të gjithë informacionin që mund të gjejmë për të vërtetuar se kemi të drejtë dhe injorojmë çdo informacion që na dëshmon gabim. Ne ndjehemi mirë, por nuk kemi fakte thelbësore. Si rezultat, njerëzit më të zgjuar injorojnë inteligjencën e të tjerëve, në mënyrë që ata të bëjnë veten të ndihen më të mençur “.
Kjo mund të shpjegojë më së miri arsyet pse kaq shumë prej nesh mendojnë se rripat e sigurimit janë opsionalë, ose që vrapimi në trafik s’ka problem, ose ngasja e makinës si maniak është krejtësisht e pranueshme. Ne i ngrejmë aftësitë tona, fatet tona dhe zgjuarsinë tonë aq shumë, saqë besojmë se jemi të pamposhtur dhe nëse diçka e keqe ndodh, nuk është faji ynë. Ndonëse paragjykimet vetë-shërbyese ndihmojnë për të mbrojtur dhe për të rritur vetëvlerësimin tonë, dobësia e dukshme është se kjo mund të dobësojë ndjenjën tonë të përgjegjësisë personale dhe aftësinë tonë për të kuptuar, se kur bëhemi në të vërtetë si budalenj.