Në Shqipëri gati gjysma e të punësuarve punojnë pa pagë në biznesin e familjes, por një kategori e madhe e të punësuarve morën paga mujore nën kufijtë e varfërisë më 2021.
Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) në publikimin për pagat në nivelin e varfërisë verifikoi se, gati 17 për qind e të punësuarve në Shqipëri me pagë paguhen në intervalin 3.2-5.5 USD në ditë.
- Shqipëria u rendit në vendin e 62 në mesin e 117 vendeve të botën për nivelin e varfërisë në punë. Gjithashtu vendi ynë numëron rreth 2 për qind të punësuarve që marrin nga 1.9-deri në 3.2 dollarë në ditë.
Të dhënat e institucionit ndërkombëtar që merret me treguesit e punësimit tregojnë se, në vitin 2021, gjithsej 19 për qind e të punësuarve në vend paguhen më pak se 5.5 USD në ditë ose rreth 130 dollarë në muaj.
- Zakonisht kategoritë e punonjësve në varfëri punojnë në sektorët e bujqësisë dhe shërbime. Puna e tyre është e përqendruar në sezone dhe me paga shumë të ulëta.
Megjithëse kjo kategori punonjësish numërohet si e punësuar, të ardhurat e tyre nga puna janë nën kufirin e varfërisë relative 5.5 USD në ditë.
Teksa varfëria në botën e zhvilluar shpesh shoqërohet me papunësinë, varfëria ekstreme që ekziston në pjesën më të madhe të botës në zhvillim është kryesisht një problem i personave të punësuar në këto shoqëri. Për këta punëtorë të varfër, problemi është zakonisht ai i cilësisë së punësimit, shpjegon ILO.
Prandaj, ulja e varfërisë në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm kërkon rritjen e mundësive të punësimit dhe të të ardhurave të të varfërve që punojnë, atyre njerëzve që janë të punësuar, por nuk janë në gjendje të ngrenë veten dhe familjet e tyre mbi pragun e varfërisë.
Për shkak të strukturës së ekonomisë, puna në vendin tonë ka vlerë të ulët. Sipas statistikave kombëtare gati gjysma e punonjësve në vendin tone paguhet në nivelin e pagës minimale. Kjo ndodh pasi rreth 40 për qind e të punësuarve janë në sektorin bujqësor që kanë fitime shumë të ulëta nga puna.
- Pagat në Shqipëri janë rritur me ritme të ulëta gjatë dekadës së kaluar, ndërkohë që karakterizohen nga një informalitet i lartë. Përveçse mijëra persona punojnë në informalitet total, deklarimi i pjesshëm i pagës për efekt tatimi është një fenomen i përhapur në vendin tonë./Monitor