Ka qenë presidenti i Tiranës, Refik Halili që ka zbuluar sekretin e skautëve italianë në ndeshjen me Vllazninë. Numri një i klubit kampion ka treguar se ka pasur interes për 17 vjeçarin e Tiranës, Dijar Nikqi.
Pejani u afrua nga Shehi në ekipin e parë gjatë janarit të këtij viti, duke luajtur 147 minuta në Superligë, teksa sulmuesi ka gjetur dy herë rrugën e rrjetës. Nikqi më herët ka qenë në provë edhe te Verona në Itali, teksa është pjesë e Kombëtares U-21 kuqezi.
“Kemi pasur në stadium menaxherë nga Italia për një lojtar. Nuk është sekret. Nuk doja ta thoja edhe për të qenë i qetë lojtari. Bëhet fjalë për Dijar Nikqin, lojtarin e ri. Ne duhet të punojmë shumë dhe të hedhim baza të forta te të rinjtë. Nëse ka interes nuk e pengojmë, por them që të rrijë të ketë minuta me ne dhe të luajë. Mos shkojë jashtë kaq shpejtë dhe të rrijë në stol”, tha mes të tjerash Halili.