Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka përkujtuar sot, 23 vjetorin e rezistencës së Haradinajve në Gllogjan si dhe 22 vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe.
Sot kujtojmë me nderim të thellë, fillimin e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe makinerisë vrastare serbe, bombardim që zgjati 78 ditë, gjunjëzoi regjimin kriminal dhe solli kapitullimin e shtetit okupator, ka shkruar Lladrovci.
Kryetari Lladrovci ka ritheksuar se “për fat të keq, në këtë 22 vjetor të përkujtimit të fillimit të bombardimeve, në mesin tonë nuk janë ata që krijuan dhe fuqizuan lidhjen e pandashme të UÇK-së dhe Republikën e Kosovës me aleancën e NATO-s, pa Hashim Thaçin, Kadri Veselin, dhe të tjerët”.
Postimi i plotë i Lladrovcit:
Marsi i Jasharajve legjendar, mobilizoi kombin shqiptar për të filluar rezistencën kudo ndodheshin bijat dhe bijtë më të mirë të Kosovës. Ishte Gllogjani që më 24 mars 1998, riktheu vëmendjen për qëndresën heroike, duke ndjekur rrugën e Komandantit tonë legjendar, Adem Jashari.
Haradinajt krahas ushtarëve të UÇK-së gjithandej Kosovës, vazhduan luftën me ushtrinë serbe deri në çlirimin e plotë të vendit tonë. Kjo ditë është e paharruar për qëndresën dhe heroizmin e Gllogjanit dhe atdhetarëve të kombit që dëshmuan se Kosova po bënte rezistencë në çdo pëllëmbë të tokës së saj.
Sot kujtojmë me nderim të thellë, fillimin e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe makinerisë vrastare serbe, bombardim që zgjati 78 ditë, gjunjëzoi regjimin kriminal dhe solli kapitullimin e shtetit okupator.
Nderim i përjetshëm për Aleancën veri-atlantike, shtetet demokratike me në krye ShBA-në, drejtuesit e saj dhe kontribuuesit e çlirimit dhe lirisë së Kosovës.
Por, për fat të keq, në këtë 22 vjetor të përkujtimit të fillimit të bombardimeve, në mesin tonë nuk janë ata që krijuan dhe fuqizuan lidhjen e pandashme të UÇK-së dhe Republikën e Kosovës me aleancën e NATO-s, pa Hashim Thaçin, Kadri Veselin, dhe të tjerët.
Nderim i përjetshëm për të gjithë kontribuuesit e lirisë së Kosovës!
Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Nderim i përjetshëm për Aleancën veri-atlantike!