Risia e transportit publik falas. Këlliçi: Duket e pamundur kur nuk jeton mes qytetarëve

Nga OPINION.al

Kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi i është rikthyer sërish idesë së transportit falas duke iu përgjigjur reagimeve që e cilësojnë si të parealizueshëm këtë projekt. Gjatë një takimi në njësinë Nr 7, Këlliçi pohoi se, deri më tani ka pasur 430 milionë euro për inceneratorët fantazmë, ndërkohë që transporti publik falas në kryeqytet përbën vetëm  6.8% të buxhetit duke ofruar kështu shërbim për 200 mijë qytetarë në ditë.

“Kur paske ti 430 milionë euro për inceneratorë fantazëm, si ka mundësi që nuk ke ti 6.8% të buxhetit për 200 mijë qytetarë të Tiranës në ditë. Për pensionistë, për studentë, për familjet në nevojë. Për ata që janë me ndihmë ekonomike, për ata që janë të pamundur, për ata që marrin dy linja urbane për të shkuar në punë që paguajnë 800 lekë një rrugë dhe 800 lekë rrugën e kthimit, 1600 lekë në ditë për të marrë një rrogë 400 mijë lekë në muaj. E që në fund të muajit i shkon 10 deri në 15% kostoja e autobusit.
  • Sigurisht kur nuk ke prioritet qytetarët, uljen e kostos së jetesës për ta, kjo duket e pamundur, kur nuk jeton mes qytetarëve, sigurisht kjo duket e pamundur. Ndaj paniku që e ka kapur Erion Veliajn, pikë së pari nga bashkëpunimi ynë dhe nga koalcioni ynë, e së dyti nga programi yne që çdo ditë po shpaloset para qytetarëve, është një panik që është më së i vërtete, sepse ai e di fare mirë që në 14 maj do të humbe”, u shpreh kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës.

Këlliçi shtoi se nga mirëadministrimi i parave, do të mundësohet edhe investimi 5 milionë dollarë në vit për modernizimin e këtij shërbimi.

  • Jo vetëm i kemi lekët 16.5 milionë euro për të subencionuar biletën, por ka mjaftueshëm lekë që do investojmë dhe 5 milionë dollarë në vit për të modernizuar flotën e autobusëve, për të mos parë më këto aksidentet që ndodhin njëherë në dy ditë me autobusët në Tiranë, për të investuar në dixhitalizimin e të gjithë rrjetit, për të investuar në stacionet e autobuzëve, sepse paratë janë aty, ma besoni janë aty, e gjitha është çështje vullneti”, u shpreh Këlliçi.

 

Author: jehona