Rama: Tregu i energjisë është pengu më i madh i luftës. Shqipëria nuk prodhon dot gjithë sasinë që i nevojitet

Kryeministri Edi Rama thotë që Shqipëria nuk e prodhon dot ende gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet, pasi reshjet e shiut e të borës, nga ë cilat varet prodhimi ynë, janë në nivelin më të ulët për të tretin vit rreshtazi.

Me një postim në Facebook, Rama në të cilin sqaron që për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat aktualisht është 550 euro dhe gjasat janë të arrijë 1000 euro për megavat orë. Gjithsesi Rama thekson që Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk ka rritur çmimin e energjisë, dhe ne duhet ta përballojmë me të bashkuar, jo të ndarë këtë luftë.

“Shqipëria nuk e prodhon ende dot të gjithë sasinë e energjisë që i nevojitet.

Prodhimi ynë varet nga reshjet e shiut e të borës, të cilat për vitin e tretë rresht janë shumë më të ulëta se sa deri tri vite më parë!

Thatësira çon deri në pikën që thuajse gjysma e nevojave për energji të mbulohet nga importi, ndërkohë që prej disa muajsh bota ka hyrë në një krizë energjitike. Tanimë edhe për shkak të luftës në Ukrainë, çmimi për megavat vazhdon të rritet çmendurisht, orë e çast, nga 52 euro vjet në 550 euro aktualisht!

Gjasat janë që rritja marramendëse të vazhdojë dhe parashikimet shkojnë deri në çmendurinë totale të 1000 eurove për megavat orë!

Qysh me shfaqjen e shenjave të krizës energjitike disa muaj më parë, qeveria ka paralajmëruar kohë të vështira përpara dhe ka vendosur një mburojë financiare për familjet dhe biznesin e vogël.

Sot Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që nuk e ka rritur asnjë qindarkë faturën e energjisë; aktualisht çmimi i importit për kilovat ka shkuar 61 lek, ndërkohë që familjarët vijojnë ta paguajnë kilovatin njësoj si përherë, 9.5 lek!

Të gjithë këtë diferencë të frikshme ekonomikisht e mbulon krejtësisht shteti, përtej 45 milionë USD që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit për kompensimin e 2.5 lekëve për kilovat për çdo familje në nevojë.

Kostoja tejet e lartë e kësaj mburoje unikale rritet përditë dhe ne do të vazhdojmë ta financojmë sa të mundemi.

POR të gjithë duhet të vetëdijësohen se tanimë tregu i energjisë është pengu më i madh i luftës, e cila nuk sjell kurrë të mira, po vetëm dhimbje.

Këtë luftë nuk e ka zgjedhur Shqipëria dhe ne shqiptarët as nuk e ndalim dot, as nuk shmangim dot. Duhet vetëm ta përballojmë me kurajo, besim dhe durim. Të bashkuar jo të ndarë.” shkruan Rama./Tiranapost.al

Author: admin