Etika në media dhe mundësia për mekanizma vetërregulluese përballet me një sërë sfidash dhe problemesh, sipas një diskutimi me gazetarë dhe ekspertë të medias. Gazetaria vetë është një profesion në ndryshim në këtë moment dhe kërkon kohën e vet që të reflektohen rregullat profesionale, sipas Koloreto Cukalit, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias.
- Sipas Cukalit, Aleanca për Media Etike, një nismë vetërregulluese që numëron rreth 40 media anëtare, ka bërë përpjekje në këtë drejtim, por sfidat janë të shumta, që nga interesi i medias për të qenë pjesë, ndërgjegjësimi i publikut, apo edhe mënyra e funksionimit të tregut mediatik në Shqipëri.
Lutfi Dervishi, gazetar me përvojë dhe një nga autorët e Kodit të Etikës, thas se vështirësitë për zbatimin e rregullave të etikës burojnë nga një sërë faktorësh. Ndryshimi i peizazhit mediatik, hyrja e mediave online dhe rrjeteve sociale, apo dukurive të tjera, kanë ndryshuar përkufizimin e medias dhe rregullat që vlenin për to. Po kështu përkeqësimi i diskursit të jetës publike në vend reflektohet edhe në media.
- Gazetarët diskutuan raste të ndryshme të problemeve të etikës me të cilat ata përballen gjithë kohës, të tilla si mungesa e burimeve, moszbatimi i ligjit për të drejtën e autorit nga media, mungesa e vlerësimit të përmbajtjes cilësore nga publiku, portalet anonime dhe shkeljet që ato bëjnë, etj. U fol edhe për gazetarinë e titujve karrem dhe modelet e ngjashme të biznesit, të cilat pengojnë interesin dhe motivimin për një media etike dhe profesionale.
Diskutimet theksuan se kthimi i gazetarisë te parimet bazë profesionale do të ishin përgjigja më e mirë për problemet që kanë të bëjnë me etikën, të tilla si saktësia, objektiviteti, ndershmëria, burimet e besueshme, etj.
Po kështu, raportimi për tema dhe çështje me interes publik si misioni kryesor i gazetarisë është një objektiv që rrallë arrihet, por mbetet i rëndësishëm për rritjen e besimit të publikut te media. Ndërgjegjësimi i publikut për këto tema dhe edukimi masiv mediatik gjithashtu u vu në pah si një kusht themelor që vetërregullimi në media të përfshijë edhe publikun.