Nga 130 dollarë, sot 1 fuçi nafte e ka çmimin 88 dollarë…Eshte në nivelin më të ulët që prej janarit të këtij viti.
Ndërsa në vendin tonë aktualisht qytetarët një litër naftë e blejnë me 232 lekë litri që është çmimi i fundit i caktuar nga Bordi i Transparencës për Monitorimin e Karburanteve më 2 shtator. Por kjo rënie e çmimit të naftës bruto, nuk pritet të reflektohet me të njëjtin intensitet tek çmimi i naftës që blejnë qytetarët në pikat e karburantit, pasi Ministria e Financave ka sqaruar më herët se ata marrin si referencë për çmimet e reja, luhatjet në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin,benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve.
“Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ. Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative. Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit”, shpjegoi Ministria e Financave në njoftimin e fundit të bordit të transparencës.