Editorial nga Monitor
Shqiptarët po ikin! Ky lajm, në fakt, nuk është i ri. Që pas viteve ’90, shumë banorë të vendit u larguan për një jetë më të mirë. Në atë kohë ikën me çfarë të mundnin, me anije, përmes ambasadave, më pas me gomone, duke rrezikuar seriozisht jetën.
Në atë kohë ishte një proces praktikisht i pandalshëm. Shqipëria vinte nga një regjim diktatorial, që kishte mohuar shumë mundësi dhe e kishte çuar popullsinë në një varfëri ekstreme dhe uri për të parë “botë me sy”.
Emigracioni i asaj periudhe kishte dhe anët e veta pozitive, teksa remitancat u bënë një burim i rëndësishëm i të ardhurave dhe konsumit në vend dhe shumë individë u kthyen, duke hapur biznese e duke sjellë përvojën e Europës, kryesisht të Italisë e Greqisë.
Ngjarjet e ‘97-s nxitën një tjetër valë si pasojë e pasigurisë për jetën, një faktor i ri shtytës për emigracionin. Stabilizimi i ekonomisë pas viteve 2000 e ngadalësoi ritmin e emigracionit. Ekonomia e vendit po rritej, kishte më shumë mundësi për të rinjtë, kompani të huaja të mëdha po hynin në vend, duke ofruar vende pune me paga relativisht të larta.
Hapja e një biznesi në një treg, ku konsumi ishte i lartë, ishte një tjetër alternativë për të siguruar jetesën.
- Liberalizimi i vizave me BE-në, përkundër pritshmërive dhe fenomeneve të ngjashme në ish-vendet komuniste, nuk u shoqërua me valë emigrimi. Përkundrazi, një valë tjetër ikjesh nisi në vend në 2015-n.
Kërkesat për azil u rritën në mënyrë drastike, duke arritur në gati 70 mijë atë vit. Ndonëse në ulje në vijim, sërish ikjet mbetën të larta, duke u frenuar disi gjatë periudhës së pandemisë, si rrjedhojë e kufizimeve në lëvizje.
Që pas pandemisë, vendi është përfshirë sërish në një cikël të heshtur emigracioni, sidomos të të rinjve, por edhe familjeve, përfshirë edhe ato që klasifikohen në shtresën e mesme. Fenomeni është bërë aq masiv, sa po ndihet kudo.
Tre vite më parë, bizneset ankoheshin se nuk po gjenin punonjës. Sot, ankohen se jo vetëm nuk po gjejnë punonjës, por rënia e popullsisë është aq e fortë, sa po ndihet në frenimin e konsumit.
- Bizneset janë futur në një rreth vicioz, ku mosgjetjen e punonjësve po mundohen ta kompensojnë me rritje të pagave, që po i transferojnë në kosto dhe kjo, nga ana tjetër, po çon në rënie të konsumit, si të mos mjaftonte dhe inflacioni që ka kapur rekordet e 23 viteve, si rrjedhojë e situatës së trazuar globale.
Marrja e punonjësve të huaj po rezulton dështim, siç pohojnë shumë sipërmarrës që e provuan këtë “eksperiment”, për të kompensuar hemorragjinë e fuqisë punëtore.
- Kryeministri nuk e ndien shqetësimin dhe e përdor si argument justifikues se nuk ka çfarë u bën e nuk mund të konkurrojmë me pagat që jep Gjermania apo Europa Perëndimore. Ky është një fenomen, që po e hasin dhe shtete të tjera të Europës, si Çekia, apo Kroacia, Polonia, Bullgaria etj., thonë anëtarë të tjerë të qeverisë.
Po, është e vërtetë, emigracioni është një proces normal, që do të ekzistojë gjithnjë dhe asnjëherë nuk mund të frenohet plotësisht. Por, në Shqipëri është kthyer në një hemorragji të pandalshme.
Shqetësimi nuk është tek ikja në vetvete, por te ritmet e larta me të cilat njerëzit po largohen, arsyet për të cilat ata po largohen. Të rinjtë, ashtu si në vitet ’90, nuk ngurrojnë që të rrezikojnë jetën, duke ikur drejt Mbretërisë së Bashkuar me gomone.
Në një vend që zyrtarisht ka 2.8 milionë banorë (jo zyrtarisht nuk dihet, pasi Censi po shtyhet vazhdimisht, si të mos duan ta dinë se çfarë po ndodh realisht në vend), fshatra dhe qytete të tëra të vogla po zbrazen.
- Shqiptarët ikin më shumë dhe se nga vendet që janë në luftë, apo në konflikte etnike. Në raport me popullsinë, Shqipëria është e dyta për kërkesat për azil në botë. Kjo është e tepërt për një vend kandidat për në Bashkimin Europian dhe në një periudhë afatmesme pritet të bëhet pjesë e tij.
Është e dukshme që pesimizmi ka mbërthyer atë brez që duhet të ishte shpresa për të ardhmen e vendit, por sot nuk arrin ta gjejë veten mes konflikteve pa fund të politikës, ekonomisë që nuk prodhon punësim të qëndrueshëm, me paga të përshtatshme dhe mbetet larg zhvillimeve teknologjike.
- Si një formë e heshtur proteste po zgjedhin të largohen. Ka shumë arsye për t’u shqetësuar dhe që politikanët të fillojnë ta marrin seriozisht fenomenin dhe të përpiqen ta frenojnë atë.
Përndryshe, emigracioni pritet të shkaktojë zhbalancime më të thella sociale dhe ekonomike, që nuk mund të parashikohet nëse do të mund të riparohen në dekadat e ardhshme./MONITOR