“Një luftëtare po prin kryengritjen shqiptare. Janica (Yanitza) Martinaj është e bija e një prijësi, i cili ka vdekur dhe trashëgimtari i tij është një fëmijë 8 vjeç. “Ejani pas meje!”- thirri Janica, pasi mblodhi ushtarët e babait të saj. Unë do t’ju çoj drejt fitores. Dhe 22-vjeçarja, Zhan D’Arka shqiptare, u sul drejt armikut. Janica është e gjatë dhe e fortë. Bukuria e saj josh kryengritësit. E armatosur me një pushkë të vjetër të veshur me argjend dhe fildish, ajo drejton betejat me një guxim të rrallë”.
Kështu shkruhej në faqet e suplementit të gazetës së njohur “Le Petit Journal” në 28 maj të vitit 1911, teksa raportohej për një revoltë shqiptare në kufijtë e Perandorisë Osmane. Një luftëtare shqiptare në kopertinën e gazetës, të cilën shtypi francez e krahason me Jeanne d’Arc.
Madje « Le Petit Journal » nuk është i vetmi që bën krahasime të tilla. Në 1911, shtypi amerikan ishte gjithashtu i interesuar për Janicën. Prestigjiozja « New York Times » në një artikull të datës 21 maj 1911 (pra parapriu asaj të ditës franceze me disa ditë) dhe «Omaha Daily Bee» shtatë ditë më vonë rezervojnë gjithashtu shkrime për këtë vajzë që zuri vendin e të atit në luftë.
Kur vajzat shqiptare pushtonin gazetat franceze e amerikane të 1900-ës
Këto artikuj sigurisht që bazohen në fakte reale. Në fakt, që nga shekulli i 15-të, në Shqipëri ekzistonte një traditë që lejonte gratë të bënin betimin e virgjëreshave të betuara, të vishnin rroba burrash dhe në raste ekstreme, siç është ajo e Tringë Smajlit, edhe të luftonin.
Ky fenomen sigurisht nuk është i izoluar. Figura e Vashës së Orleansit, në fillim të shekullit të 20-të, është jashtëzakonisht e popullarizuar. Duke ndjekur këtë model, shumë njerëz shohin imitues të Vashës së Orleansit në të gjithë botën. «Le Petit Journal» në artikullin e saj të 28 majit 1911, pretendon të zbulojë një turmë pasuesish të Jeanne of Arc, veçanërisht në Poloni me Émilie Plater dhe në Kinë me Sieh-King-King, e cila po tërhiqte popullatat drejt kryengritjeve.
Gjithmonë në këtë prizëm,e njëjta gazetë do vazhdontë të përqendrohej vite më vonë në të tjera figura luftëtarësh vajza, në Francë, Itali, Serbi, nën siglën «Amazonat moderne». Janica Martinaj ishte njëra prej tyre, vajza e fortë shqiptare si ogur i forcës e guximit që do t’iu duhej pasardhëseve të saj ndër këto troje, edhe pse jo më me luftë por gjithsesi me beteja që mbeten sot e kësaj dite sfida e madhe kundër fatit jo dhe aq të mbarë të historisë së vendit të shqiponjave.