Kreu i PAA, Duka: Jemi për një bashkim opozitar në zgjedhjet lokale

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka është shprehur se është pro një bashkimi opozitar në zgjedhjet lokale.

Në një prononcim të dhënë së fundmi, ai tha se “përtej pakënaqësive midis palëve brenda PD-së, është jetike për vendin që ky ngërç të tejkalohet sa më parë në forcën  kryesore të opozitës, sepse ndërkohë që ne nuk kemi nisur ende organizimin, Partia Socialiste e ka nisur fushatën”.

“Kam ndjekur me vëmendje qëndrimin e demokrateve të Mirëditës, të shprehur nga z. Alfred Duka, i cili nuk sintetizon vetëm vullnetin e tyre për bashkim përpara zgjedhjeve vendore brenda radhëve të Partisë Demokratike, por edhe një këmbanë alarmi për opozitën në të gjitha grupimet e saj, pasi zgjedhjet vendore janë pak muaj larg dhe koha nuk pret.

Përtej pakënaqësive midis palëve brenda PD-së, është jetike për vendin që ky ngërç të tejkalohet sa më parë në forcën  kryesore të opozitës,  sepse ndërkohë që ne nuk kemi nisur ende organizimin, Partia Socialiste e ka nisur fushatën.

Përsëritja e gabimeve të së shkuarës do të ishte edhe më fatale, pasi qytetarët më shumë se kurrë, kanë nevojë të përfaqësohen nëpërmjet opozitës në institucionet e pushtetit vendor, sepse është e qartë për të gjithë që kjo mazhorancë nuk ka asgjë për të ofruar dhe vetëm çorganizimi ynë, lejon qëndrimin e saj në pushtet!

Ndaj mbështes qëndrimin e demokratëve të Mirëditës dhe urojë që ky vullnet i mirë, të përhapet në gjithë Shqipërinë.

 

Author: jehona