Qeveria e Kosovës i është përgjigjur propozimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nga ekzekutivi thonë se nga Shqipëria zyrtare presin mbështetje, pasi ndërmjetësues tashmë janë bërë shumë.
- “Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj.
Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës, dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiçit që synonte një Republika Srbska në Kosovë dhe së fundmi me Non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për ‘Botën Serbe’.
- Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë.
Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, thuhet në reagimin e zyrës së shtypit të kryeministrit Kurti.