Konferencë mbi Edukimin Mediatik në Shqipëri

Instituti Shqiptar i Medias në bashkëpunim me Autoritetin e Mediave
Audiovizive organizuan konferencën për edukimin mediatik në Shqipëri, një
temë që është diskutuar mjaft vitet e fundit.

  • Konferenca bëri bashkë aktorët kryesorë institucionalë që kontribuojnë në
    fushën e edukimit mediatik, si Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Autoritetin
    e Mediave Audiovizive, Agjencinë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin
    Parauniversitar, UNESCO-n, universitetet publike dhe private, organizatat e
    shoqërisë civile, por edhe ekspertë të medias, mësues, pedagogë dhe
    studentë.

Diskutimet kryesore gjatë konferencës u përqendruan tek agjenda e edukimit
mediatik në Shqipëri, për të cilën Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta
Manastirliu, theksoi angazhimin politik dhe institucional për të vijuar me
edukimin mediatik në sistemin arsimor, një nismë e mbështetur nga UNESCO që
prej 2020, dhe që ka në thelb ngritjen e kapaciteteve të mësuesve për të
integruar edukimin mediatik në mësimdhënie.

  • Integrimi i edukimit mediatik në kurrikulat arsimore të arsimit
    parauniversitar dhe atij universitar, mbetet parakusht për përmirësimin e
    nivelit të edukimit mediatik nga njëra anë dhe përditësimin e programeve
    mësimore me zhvillimet më të fundit, nga ana tjetër.

Ndonëse aktualisht ka përpjekje për integrimin e edukimit mediatik në
kurrikulat arsimore universitare dhe parauniversitare, sërish kjo mbetet në
nivelin e projekteve dhe nismave afatashkurtra dhe si e tillë kërkon një
strategji apo plan veprimi kombëtar për t’i shndërruar në të qëndrueshme dhe
sistemike, ku procesin e udhëheqin vetë institucionet arsimore.

Një tjetër aspekt që ekspertët theksuan ishte edhe ofrimi i edukimit medatik
në arsimin joformal, që targeton të gjithë publikun, i cili është edhe më i
prekur nga çregullimet e informacionit, si dezinformimi, që mbetet në nivele
shqetësuese dhe është në rritje, veçanërisht me (keq)përdorimin e
Inteligjencës Artificiale.

Author: jehona