Inflacioni arrin nivelin rekord në 20 vjet. Shtrenjtohet gjithçka

Inflacioni arrin rekord gjatë muajit mars. Çmimet kanë shënuar një rritje të ndjeshme në muajin mars, duke shtrenjtuar koston e jetesës për të gjitha familjet shqiptare, që mesatarisht 42% të shpenzimeve i çojnë për ushqime, sipas anketës së buxhetit të familjeve. Pothuajse gjithçka ka qenë shumë më e shtrenjtë në mars, që nga ushqimet, deri te karburantet.

Të vetmet që nuk janë shtrenjtuar janë shërbimet arsimore dhe ato shëndetësore. INSTAT raportoi se inflacioni, apo Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, në muajin mars arriti në 5.7%. Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2002 dhe është shumë më i lartë se objektivi i shënjestruar prej 3% i Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit, që si përgjegjësi kryesore ka ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, në një përpjekje për të frenuar inflacionin, pak ditë më parë vendosi rritjen e normës bazë për herë të parë në një dekadë, duke e çuar në 1%, nga niveli minimal historik prej 0.5% që ishte deri tani.

Rritja e ndjeshme e çmimeve pritet të përkeqësoje dukshëm situatën financiare të familjeve shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre deklaruar si asnjëherë tjetër se presin një përkeqësim të situatës financiare të familjeve të tyre gjatë 12 muajve të ardhshëm.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +3,31 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +1,08 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,44 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,24 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,12 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me 0,05 pikë. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me 0,02 pikë. Krahasuar me muajin Mars 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 19,9%, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 9,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,5%,“Argëtim dhe kulturë” me 3,5%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,3%, “Komunikimi” me 1,9%, “Veshje dhe këpucë” me 1,5%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,4%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,9%, “Shërbimi arsimor” me 0.7%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” me 22,4%, pasuar nga nëngrupet “bukë dhe drithëra” me 15,8%, “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 10,5%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 10,3%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsire” me 10,2%, “mish” me 7,1%, etj. Krahasuar me muajin Shkurt 2022, çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 8,9 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,9%,“Pije alkoolike dhe duhan” me 2,8%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,3%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,8 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,6%, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4% secili. Ndërsa, grupi “Shëndeti” shënoi një ulje me 0,1%./noa.al

Author: admin