IKIN…TË GJITHË IKIN nga Leonard PIPA

IKIN…TË GJITHË IKIN

Ikin të gjithë…ikin,
nuk vjen më askush!
Edhe dallëndyshet
nuk erdhën
këtë rradhë,
i ngritën foletë
n’një përrallë!

Ikin dhe pleqtë
me qeleshe,
plakat me shami
tek gusha.
Qëntë nga lotët
janë kthyer në shelgje,
arinjtë qëllojnë kokën
me grushta…

Ikin vetëm…ikin!
Vajzat si yje,
djemtë si luanë,
rrugët e qyteteve
do gdhihen savanë!
S’ka mbetur as një zog
me shpresë në sqep,
i marrin dhe foshnjat,
foshnjat me gjithë djep!

Ikin vetëm ikin
shqiptarët tanë,
në toka të tjera
ka më shumë sane.
Në toka të huaja,
në botën e lirë,
se kërkojnë skllevër,
skllevër pa zinxhir!

Ikin shqiptarët
të mjerët e Zotit,
herë duke sharë,
herë n’pikë të lotit…
S’dinë ku qahen,
as kë mallkojnë…
aë gjithë si të çmendur,
të ikin vrapojnë!

Nuk i lodh kurrë rruga,
Shpejt është ora e nisjes,
Ikin ata ikin…
Në sfidë të braktisjes!

Kur të zgjojë atdheu,
kushedi ç’pranvera,
vendi do jetë mbushur
Ujqër edhe ferra!

Kur të zgjojë shqiptari,
që sot rrugës shkoi,
varrin e babait
ja ka marrë përroi!

Në ndodhtë
kur të zgjojnë,
mos i zënë gjumë!
Gurët e atdheut
kanë vajtur në lumë!

Author: jehona